Në datën 17 korrik 2025, Shqipëria u kthye në skenën botërore të “VIP-ave” kur Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, zbriti në Tiranë për një vizitë pune me Kryeministrin Edi Rama. Ky është takimi i dytë brenda pak muajsh – duket sikur Sheikhut i pëlqen aq shumë Shqipëria sa po mendon të blejë një vilë në Green Coast! Zyrtarisht, ata diskutuan forcimin e lidhjeve, bashkëpunimin ekonomik, energjinë e rinovueshme, sigurinë ushqimore dhe teknologjinë. Rama madje i dha medaljen “Patronazhisti” – nderi më i lartë shqiptar – si falënderim për ndihmat e mëparshme, si gjatë krizës së Kosovës apo rindërtimit pas tërmetit (mbi 1000 apartamente falas). Por, sipas nesh, duket si një skenar filmi ku Shqipëria është “pronë” në shitje!

Marrëdhëniet Shqipëri-Emirate filluan në 1992, por kanë marrë vrull kohët e fundit me marrëveshje që duken si “oferta speciale” në marketin diplomatik. Ja lista e “marrëveshjeve” bashkëpunuese, që nga 2020 e tutje:
- Marrëveshja Bilaterale e Investimeve (BIT): Mbron investimet reciproke – pra, nëse Emiratet blejnë gjysmën e Shqipërisë, ne mund të blejmë një deve në Dubai!
- 2024: Joint Venture Masdar-KESH: Për energji diellore dhe erë – sepse Shqipëria ka erë të mjaftueshme nga politikanët për të furnizuar gjysmën e Lindjes së Mesme.
- Shkurt 2025: Marrëveshje energji, siguri dhe qytete inteligjente: Bashkëpunim në siguri kibernetike – ndoshta për të mbrojtur sekretet e tenderave shqiptarë nga hakerat.
- Janar 2025: Marrëveshje trilaterale me Italinë: 1 miliardë euro për lidhje nënujore energjetike – një kabllo që do të transportojë energji nga Shqipëria në Itali, duke lënë ne në errësirë!
Përveç këtyre, Emiratet kanë ofruar ndihma humanitare – por tani pyetja e madhe: Pse u mundua Lartmadhëria e Tij të vijë sërish? Mos ndoshta kërkon të përvetësojë naftën e “Bankers Petrolium”, të marrë plazhet e Jugut apo bazat ushtarake si Sazani që Rama ia “fali” dhëndrit të Trump? Apo thjesht dëshiron të provojë byrekun tonë? Shqipëria, toka e premtimeve të shitura!
