Në ditët e fundit, Pallati i Sporteve Asllan Rusi në Tiranë ka tërhequr vëmendjen me projektin e ri për rijetëzimin e tij. Ky kompleks sportiv, i ndërtuar në vitet ’70 dhe i emërtuar pas basketbollistit të shquar shqiptar Asllan Rusi, do të shndërrohet në një strukturë moderne. Projekti fitues, i studios holandeze MVRDV, parashikon një kullë 20-katëshe në formë sfere – një top betoni që imiton një top basketbolli. Kjo kullë do të kombinojë ambiente sportive me hapësira multifunksionale, me rreth 14 mijë metra katrorë sipërfaqe dhe kapacitet për deri në 6000 spektatorë. Dizajni synon të ringjallë zonën përreth, por ka ndezur edhe debate rreth privatizimit të hapësirave publike sportive.
Megjithatë, ky projekt ka nxitur edhe reagime të ironisë, siç është statusi i Auron Tares, ish-deputetit dhe figurës publike, i cili, me një ton melankolik, vë në dukje kontrastin mes investimeve në infrastrukturë dhe mungesës së mbështetjes për sportin dhe talentet e rinj. Më poshtë, statusi i tij i plotë, që kap thelbin e kësaj ironie.
Një bisedë nën shiun e vjeshtës
Mbrëmë, në darkë, nën një shi të hollë vjeshte, ndesha njërin nga miqtë e mi të rinisë. Kemi luajtur bashkë basketboll dhe kemi ruajtur miqësinë e dikurshme. Pasi zbriti nga biçikleta, bëmë një copë rrugë në këmbë.
“Si është djali?” e pyeta.
Djali i tij 16-vjeçar stërvitet në basketboll. E kisha parë disa herë në njërën nga palestrat e vjetra të shkollave të Tiranës.
“Mirë,” më tha, “ka shkuar 2.1 metra i gjatë.”
“Ou,” i thashë i habitur, “vazhdon me të njëjtin ekip?”
“Jo,” tha, “e çova në një shkollë në Itali. E panë skautët italianë dhe e morën. Para tij kanë shkuar edhe katër çuna të tjerë atje. Është një shkollë e specializuar që merret me talente.”
Kushtet e mjerueshme të sportit shqiptar
“Po këtu,” e pyeta, “nuk ka mundësi të vazhdojë?”
“Po ti i ke parë kushtet,” më tha, “mizerje. Asnjë kujdes, asnjë program për ta ringritur basketbollin.”
“I pe shqiptarët e Turqisë?” më pyeti. “Tre basketbollistë të kombëtares, nënkampionë të Europës.”
“Shiko Islandën,” vazhdoi, “një ekip që dikur Shqipëria e mundte. Shiko Finlandën, sa kanë ecur. Vende pa traditë në basketboll!”
“Këtu na ikin fëmijët jashtë,” shtoi me një psherëtimë të gjatë. “Sa shpresë kishim…”
Shiu që binte e bënte pak më të zymtë bisedën.
Fondet që nuk shihen
“Po pse,” e pyeta, “kam dëgjuar që Komiteti Olimpik merr fonde për klasat sportive?”
Ai qeshi me ironi:
“Ke parë gjë ti?” më tha. “Unë nuk shoh ndonjë fond për fëmijët tanë në basketboll.”
Vazhduam të ecnim.
Kulla në formë topi
“E ndoqe konkursin për Pallatin e Sportit Partizani?” e pyeta për të ndryshuar temën. Bashkë kishim kaluar rininë në atë fushë.
“Jo,” më tha.
“Interesante,” i thashë, “një fushë e madhe dhe një lloj kulle në formë topi.”
Te kryqëzimi i rrugës u ndamë. Duke i hipur biçikletës, më pa në sy dhe më tha:
“Pallati mund të jetë në formë topi, por topin nuk ka më kush ta gjuajë.”