Pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, janë zbuluar fakte shqetësuese mbi keqmenaxhimin dhe shpërdorimin e fondeve publike në Bashkinë e Tiranës. Ndër rastet më flagrante është ai i njohur si “5D”, që ka të bëjë me abuzimin me tenderat dhe zhvatjen e milionave eurove nga drejtues të lartë të institucionit.

IMT dhe skema e korrupsionit
Mariglen Qato, ish-kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), rezulton të ketë qenë pronar “de facto” i kompanisë “5D”, e cila merrte tendera publikë në mënyrë të paligjshme. Gjatë kohës kur Qato drejtonte IMT-në, ky institucion u shndërrua në një vatër korrupsioni, ku inspektorët terrorizonin bizneset dhe ndërtime pa leje. Çdo veprim i paligjshëm mund të “rregullohej” me një pagesë për Qaton dhe njerëzit e tij.
Një nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë ishte Erald Tusha, nipi i Marglen Qatos, i cili si drejtues dhe punonjës i IMT-së shndërroi inspektorët në sekserë që mbledhin para nga ndërtimet pa leje. Ky fenomen e ktheu IMT-në në një makth për bizneset në Tiranë. Edhe pas arrestimit të Qatos, situata në IMT mbetet problematike dhe kërkon hetim të thelluar nga SPAK.
Tatimet e Tiranës – një tjetër vatër korrupsioni & pushteti për Lalin

Emërimi i Laura Deliaj si drejtoreshë e Tatimeve të Tiranës erdhi me ndërhyrjen direkte të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj. Ky emërim kishte një qëllim të qartë: kontrollin mbi fondet që qarkullojnë nga bizneset në kryeqytet.

Pas marrjes së detyrës, Deliaj solli në institucion një rrjet njerëzish të besuar, të cilët shantazhonin dhe gjobitnin bizneset për të marrë rryshfete. Paratë e mbledhura dorëzoheshin çdo muaj tek drejtuesit e terrenit, të cilët më pas ia kalonin drejtoreshës Deliaj. Bizneset e lidhura me grupin e Ajola Xoxës nuk prekeshin, ndërsa të tjerët ishin në presion të vazhdueshëm.

SPAK po heton këtë skemë të dyshimtë duke analizuar tabulatet telefonike dhe transaksionet e dyshimta mes drejtuesve të Tatimeve të Bashkisë së Tiranës dhe Ajola Xoxës.
Afera në “Tirana Parking”
Një tjetër institucion problematik është “Tirana Parking”, drejtuar nga Erinda Fino. Pak kohë më parë u raportua për një tender të dyshimtë prej 140 milionë lekësh të vjetra për blerjen e makinave elektrike. Fituesi u shpall pa garë dhe përfitoi miliona pa asnjë konkurrencë.
Fituesi i tenderit, kompania “TRADE AND CONSTRUCTION GROUP”, është në pronësi të Fabjan Diçit, bashkëshortit të Vilma Diçit, e cila ka qenë shefe sektori në “Tirana Parking”. Ky fakt tregon një tjetër rast të rëndë nepotizmi dhe konflikt interesi që kërkon hetim të menjëhershëm.
Afera “5D” dhe ish-drejtori i Ujësjellësit
Ish-drejtori i Ujësjellësit Tiranë, është një tjetër emër i përfshirë në skandalin “5D”. Ai është thirrur nga Prokuroria e Posaçme për një tender prej 420 mijë eurosh për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Pavarësisht ofertave më të ulëta, këtë tender ia dhanë kompanisë “5D”, e cila më parë njihej si “VAS Konstruksion sh.p.k.”. Ky është një rast tjetër i favorizimit të klientelës dhe shpërdorimit të fondeve publike.
Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës – më shumë emra pritet të dalin
Në ditët në vijim pritet të bëhen publike të tjera fakte mbi nepotizmin dhe aferat korruptive në Bashkinë e Tiranës. SPAK duhet të veprojë pa vonesë për të ndëshkuar të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë skemë të gjerë abuzimi me fondet publike dhe për të rikthyer ligjin dhe transparencën në qeverisjen vendore.