Artan Hoxha: SPAK-u ka detyrimin të na tregojë ku është inceneratori i Tiranës
Gazetari Artan Hoxha kërkoi sqarim nga SPAK-u në lidhje me inceneratorin e Tiranës.
Hoxha tha se SPAK-u ka detyrimin të na tregojë pse nuk ka incenerator në Tiranë.
Këtë deklaratë ai e bëri në një dalje televizive, teksa po komentonte masën arrest shtëpie për kryebashkiakun e Tropojës, Rexh Byberi.
“Kur bëhen statistikat njëlloj shiten kryetari i Tropojës dhe ai i Tiranës. Duket sikur plani realizohet me Rexhën, por, sipas Censusit 40% e popullsisë është në kryeqytet. Është një rrugë në Kinostudio dhe ka tri vjet ashtu dhe bëjnë sikur punojnë dhe vijnë sa bëhen 100 metra.
Nuk ka incenerator fare. Po t’i kishte bërë vaki kjo Rexhës, nuk e di çfarë do t’i kishte ndodhur. Vendi ndodhet sot në pragun e një krize të jashtëzakonshme mjedisore, sepse po të shikosh në çdo cep të vendit ka probleme me plehrat.
Ne s’kemi incenerator, kur qytetarët kanë paguar që mbetjet të digjen. Nga lart, kur vjen me avion duket se çfarë katastrofe është dhe njerëzit shyqyr që nuk e shohin nga poshtë se është pamje apokaliptike. SPAK-u ka detyrimin të na tregojë pse s’ka incenerator në Tiranë dhe ku shkuan miliona e miliona dhe sa fushata janë bërë.
Tek inceneratorët janë vjedhur taksapaguesit më të varfër të Europës. Kjo është një histori, e cila do kohën e vet. Nuk është krim intelektual siç tha Dumani në Parlament, por ka presion të madh te hetuesit dhe s’e kanë të lehtë. SPAK-u nuk u bë për të hetuar Rexhën, por peshqit e mëdhenj”, theksoi gazetari./ CNA