Shpata e Skënderbeut, si llampa e Aladinit.



Gazeta Panorama dhe mediat e tjera të grupit Focus janë shndërruar në një ditar besnik të delireve të kryeparlamenares Elisa duke i kushtuar çdo ditë aq artikuj qesharakë sa dhe Zëri i Popullit i dikurshëm nuk i ka shkruar së bashku dy byroistëve Spiro & Pali.

Në titujt e mediave të Irfan Hysenbelliut, që vijon të vetëetiketohet si i persekutuar i kësaj qeverisjeje, gjen të dokumentuar çdo hap që ka hedhur, çdo dorë që ka shtrënguar dhe çdo njeri të parëndësishëm që ka pritur Mamica e Skënderbeut modern.

Këtë të premte ishte përshkruar gjatë një miting rutinë i Spiropalit në Horën e Arbëreshëve në Itali ku nuk kishte asnjë lajm të ri dhe nga e cila kanë kaluar pa përjashtin të gjithë politikanët shqiptarë.

Artikulli për këtë eveniment ishte pafundësisht i gjatë madje i shoqëruar edhe nga fjala e kreytares, e botuar e plotë. Por në fakt çdo ditë ndodh kështu.

Që prej një muaji, kur Spiropali u zgjodh me 75 vota në krye të kuvendit, pavarësisht se ç’farë bën apo thotë, ajo nuk mungon asnjë ditë në Panorama dhe Balkanveb.

Të enjten qe botuar i plotë një status për Abdyl Frashërin. Pak ditë më parë një i tillë me fjalë standarte për Nënë Terezën. Më tej akoma një status për festën e Abaz Aliut, ku brenda tekstit të botuar të plotë gjendeshin edhe banalitete të tilla: “Qindra mijëra pelegrinë, besimtarë bektashianë, por edhe të të gjitha besimeve, qytetarë nga Shqipëria, diaspora dhe bota, çdo fundgushti në datat 20-25, ngjiten, festojnë e gëzojnë në Olimpin shqiptar”.

Por e gjitha nuk mbaron këtu. A thyen Eva Buzo rekordin e kalimit me not të Adriatikut? Mediat e Irfanit nuk e kalojnë dot këtë ngjarje pa raportuar se ç’mendon Elisa. A pret kreyeparlamentarja në zyrën e saj, Mary Camajn, të renë shqiptaro amerikane, që veshi xhubletën, në “Columbia University”? Kjo gjë trajtohet me rëndësinë e një scoop-i botëror. A bën status Rama për peshngritësit që morën medalje olimpike? Si një titull i veçantë nuk mund të mos raportohet edhe statusi i ish të preferuarës së tij.

Pra Panorama dhe Balkanveb kanë shndërruar në politikë botuese këmbëngulëse raportimin për publikun e gjërë të banaliteteve të tilla që janë aq meskine sa edhe një grua do përtonte ti’a tregonte bashkëshortit, kur kthehet në mbrëmje nga puna në shtëpi. Asnjë lëvizje, ide politike apo propozim në favor të qytetarëve, pa folur për kritikv apo kontroll që roli real i pushtetit të katërt, por thjeshte kronika qokatare.

Psh kanë ardhur disa ambasadorë shqiptarë me pushime në gusht dhe pinë kafe me Elisën, ky fakt nuk mund të humbet pa u shkruar. Bën një takim në selinë e kuvendit ambasadori turk, këto media e japin të plotë komunikatën e nxjerrë nga zyra e Elisës.

Po të kontrollosh në google me hashtagun “kryeparlamentrja Spiropali”, nuk ka ditë që nuk gjen një titull për të tek mediat e Focus grup.

Natyrisht në këtë vend ndodhin gjëra shumë më të rënda sesa kjo marëdhënie prej delirantësh që kërkojnë kurim. Por, ky fenomen ka rëndësi për disa arsye. E para, sepse deri këtu ka degraduar angazhimi i atyre që konsiderohen media opozitare dhe të persekutuara nga regjimi.

E dyta, për humbjen e sensit të realitetit të atyre që janë në pushtet, të cilët me sa duket janë kaq të dehur, sa që kujtojnë se publiku duhet njohur me çdo duhmë gazrash që lëshojnë nga gropat e tyre. Prandaj përgatisin komunikata që botues si ata të Panoramës ua botojnë të gatshme. Dhe së fundi për të kuptuar raportin që mediat kanë vendosur me lexuesit e tyre, duke i propozuar ta vështrojnë botën përmes syve të Elisës./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...