Sot ka qenë ultimatumi i fundit për pastrimin e Bashkisë së Tiranës nga të gjithë drejtorët e korruptuar të Erion Veliajt. Në shumë drejtori nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, drejtuesit nuk e kanë parë derën e punës, por kanë marrë paga të majme dhe tendera me vlera miliona lekësh, duke shfaqur luksin e shfrenuar në rrjetet sociale. Ndërkohë, drejtoritë nën varësinë e bashkisë nuk ofronin asnjë shërbim për qytetarët.

Këto drejtori ishin kthyer në vende pushimi për shefat dhe Drejtoreshat e kuadrit ne Bashkine e Tiranës, të cilët shfrytëzonin pozitat e tyre për të punësuar familjarët, pa asnjë kontribut real në administratë.

Bashkia e Tiranës është kthyer në një vatër korrupsioni dhe keqpërdorimi. Burimet njerëzore janë shndërruar në një zyrë pazareve, ku emërohen familjarë pa shkuar asnjë ditë në punë. Me sa duket, Edi Rama, duke qenë në dijeni të këtyre fakteve, ka nisur pastrimin. Ekziston një listë e plotë me 140 drejtorë, punonjës dhe ish-punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët janë nën hetim nga SPAK për korrupsion.
Të gjithë ish-drejtuesit dhe drejtorët e varur nga Bashkia e Tiranës i kanë ditët e numëruara. Erion Veliaj, pas dritareve të qelisë së burgut, pret ndonjë letër, por fati i tij duket i parashkruar. Ai është braktisur nga partia dhe bashkëpunëtorët e tij.
E vetmja marrëveshje që Lali Eri ka negociuar është të heshtë, përndryshe i vëllai do t’i bashkohej në burg. Pse nuk arrestohet vëllai i Veliajt?
Më 25 mars 2025, Arbër Veliaj është parë në zonën VIP të Aeroportit “Nënë Tereza”. Kujtojmë se, sipas mediave, ai ka paguar 300 mijë dollarë një studio ligjore amerikane për mbrojtjen e Erion Veliajt në Apelin e GJKKO-së. Sipas informacioneve, Arbër Veliaj ka aktivitete dhe biznese në Vjenë, një në fushën e reklamimit dhe tjetra në investime. Ai po hetohet për aktivitetin e tij dhe lidhjet e dyshuara për korrupsion në bashkëpunim me të vëllain.
Ndërkohë që pasuria e kryebashkiakut duket modeste, ajo e vëllait të tij është marramendëse. Në dhjetë vite, kompania Gogel e Arbër Veliajt ka xhiruar 32 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2014 kishte një xhiro prej vetëm 240 mijë euro. Me sa duket, marrëveshja Rama-Veliaj ka amnistuar përkohësisht vëllain e kryebashkiakut.

Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe iu caktua masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.