Tan Agolli dhe Skënder e Rezarta Bokçiu (të dënuar 4 herë) vjedhin paratë e rrugës së Lurës me 2 mashtrues bullgarë, Altin Dumani konstatoi në terren mashtrimin, ja çfarë premtoi Rama
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, dy mashtrues bullgarë Dimo Dimov dhe Asen Todorov, si dhe Skënder Bokçiu, i dënuar dy herë për vjedhje dhe korrupsion, janë përgjegjës për mashtrimin me zbatimin e kontratës për ndërtimin e rrugës Rrëshen (Perlat) – Lurë, me vlerë 13 milionë euro, duke përvetësuar fondet dhe braktisur punimet.
Në shkurt të vitit 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi se rruga Perlat-Lurë, që lidh Mirditën me Peshkopinë, do të përfundonte në fund të vitit 2023.
Shkëlqim Fusha & Dritan Agolli
“Vijon puna në kantierin e “Rrugës së Lurës” rruga e shumëpritur lidhëse rajonale, 61 km Perlat (Mirditë)-Lurë Arrës (Peshkopi), e cila përmbyllet në fund të vitit, duke hapur një portë të munguar mbi një prej bukurive më të rralla turistike të veriut, e duke shërbyer njëkohësisht edhe për zhvillimin ekonomik të zonave përreth”, shkroi Rama.
Në shkurt të vitit 2022, ‘mamuthi’ i FSHZH Dritan Agolli nënshkroi kontratën me kompaninë Bullgare, AVTOMAGISTRALI-TCHERNO MORE, pas të cilës fshihen disa ‘ustallarë në Tiranë’, për ndërtimin e rrugës Perlat-Lurë.
Fituesi dyshohet se është paracaktuar me pazar në tavolinë, ku kompania bullgare ka shërbyer si maskë i një pazari mes Dritan Agollit dhe çiftit Skënder dhe Rezarta Bokçiut të kompanisë Arifaj, të dënuar 4 herë. Dyshimet thellohen në kushtet kur Agolli ka zhdukur dosjen e tenderit.
Në verën e këtij viti, kreu i SPAK, Altin Dumani, i shpallur nga SHBA si kampion botëror në luftën kundër korrupsionit, vizitoi Lurën. Dumani, njeriu që po shemb kështjellën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, pa nga afër mashtrimin me ndërtimin e rrugës së Lurës. Kur Dumani zbarkoi në Lurë, rruga gjatë të cilës kaloi, sipas kontratës, duhet të kishte përfunduar. Nuk dihet nëse kreu i SPAK ka nisur një hetim kryesisht për një vepër penale që ka konstatuar vetë në terren.
Çfarë ka ndodhur?
Pasi fituan tenderin, dy mashtruesit bullgarë
Dimo Dimov dhe Asen Todorov të kompanisë
AVTOMAGISTRALI-TCHERNO MORE kontraktuan kompaninë e ndërtimit Arifaj shpk, për zbatimin e kontratës, një kompani e skeduar për korrupsion me tendera, mashtrim dhe zhvatje përmes skemës së TVSH. Sipas dokumenteve, kontrata do të nisej të zbatohej në mars 2023 dhe do të përfundonte në mars 2024. Sot, në fund të vitit 2024, rruga Perlat-Lurë është siç ka qenë. Paratë janë lëvruar, por rrugë nuk ka.
Pas kompanisë Arifaj shpk qëndron Skënder Bokçiu, një personazh i skeduar, i certifikuar dhe i dënuar për korrupsion me tenderat, për vjedhje të fondeve publike, korruptim të zyrtarëve publikë, mashtrim etj. Skënder Bokçiu është arrestuar dhe dënuar më parë, për ryshfet dhe korrupsion, me rrugën Has-Qafë Prushi.
Bokçiu bëri burgun dhe nisi sërish avazin. Në vitin 2014, Skënder Bokçiu u arrestua dhe u dënua sërish, tani si pjesë e një skeme të organizuar, për vjedhjen e buxhetit të shtetit me rimbursimin e TVSH.
Skënder Bokçiu u shpall fajtor si pjesë e një grupi prej 20 hajdutësh, të cilët me skemën mashtruese të TVSH, grabitën 2.5 milionë euro para publike. Ai doli nga burgu për herë të dytë dhe nisi sërish avazin, por këtë herë duke u fshehur pas gruas së tij, Rezarta Bokçiu.
Kur u mbyll në burg për herë të parë për korrupsion me tendera, Skënder Bokçiu vendosi t’ja kalojë kompaninë e ndërtimit gruas së tij, Rezarta Bokçiu, e cila edhe sot figuron pronare në letra e ‘Arifaj’.
Në vitin 2018, Rezarta Bokçiu, maskë e Skënder Bokçiut, u mor e pandehur nga Prokuroria bashkë me 7 biznesmenë të tjerë për akuzat e “Shkatërrimit të pronës me mjete të tjera”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, për vjedhjen e zhavorit të lumit Shushicë përgjatë aksit rrugor Peshkopi-Gjorm.
Vetëm pak muaj më parë, administratorja e kompanisë “Arifaj” Rezarta Bokçiu, ishte arrestuar nga prokuroria e Elbasanit për abuzime në ndërtimin e rrugës “Gjinar-Elbasan”. Për këtë segment rrugor, Bokçiu ishte marrë e pandehur, ku pjesë e dosjes ishin edhe Dashamir Xhikës dhe Andi Toma.
Vitet e fundit, kompania Arifaj, e skeduar për krime mjedisore, korrupsion, mashtrim me zbatimin e kontratave, skema mashtrimi me TVSH etj., ka marrë mbi 40 milionë euro tendera publikë.
Mbi 30 milionë euro tendera i ka marrë pikërisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin, i cili e ka kthyer FSHZH në një instrument për pasurimin e familjes së tij, duke ngritur biznese miliona euro në emrin e gruas Rovena Agolli dhe të birit Flladi Agolli./prapaskena.com