Evidenca, dokumente, transaksione dhe një dëshmi diplomatike tregojnë se vëllezërit Ramiz dhe Rasim Zekaj qëndrojnë pas zbatimit të një skeme kriminale të pastrimit të parave të donacioneve të errëta nga Kuvajti dhe Katari në pasuri të paluajtshme nga Tirana në Prishtinë, nën maskën e bamirësisë dhe ligjërimeve me karakter fetar, përmes një karteli fondacionesh dhe kompanish imobilare.
Miliona euro të përvetësuara me projekte fiktive janë investuar në godina, vila, dyqane, apartamente etj., pasuri të cilat më pas kanë kaluar në emrin e Ramiz Zekajt dhe familjarëve të tij, përmes kontratave false, dhurimeve dhe manovrave të ndryshme.


(Ramiz dhe Rasim Zekaj)
Nawaf Mohamed Ali Humoud Fawaz dhe Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari nga Katari rezultojnë dy nga ortakët e Ramiz Zekajt dhe personazhe kyç në përvetësimin e pasurive produkt i donacioneve dhe shoqatave të bamirësisë. Aktiviteti i dyshuar kriminal është zhvilluar nën hundën e institucioneve ligjzbatuese shqiptare, sidomos të shërbimeve informative.
Instituti Kanadez në pronësi të Ramiz Zekajt për 900 mijë lekë
Kolegji Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” në Porcelan, Tiranë, një godinë me vlerë miliona euro, produkt i donacioneve nga Katari, ka përfunduar në duart e Ramiz Zekajt për vetëm 900 mijë lekë.

Në vitin 2011 themelohet në Tiranë shoqëria “T.A.L.M. – Albania”, me objekt në fushën e arsimit, kulturës, edukimit, formimit, kërkimit dhe aplikimit shkencor, si degë e T.A.L.M Group në Doha të Katarit. Vendi i aktivitetit rezulton në ish Bllok, Qendra Zayed, një organizatë me karakter fetar. Si aset i kësaj shoqërie është edhe Kolegji Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” në Tiranë.

Për regjistrimin e kompanisë është autorizuar Hamad Ben Abdennabi, një tunizian me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri. Pronari i T.A.L.M Group në Doha të Katarit rezulton Gabim bin Saad AL Saad, themelues i disa organizatave në Doha dhe sipërmarrës në fushën e pasurive të paluajtshme.

Në shtator 2012, ndryshon emri i shoqërisë nga “T.A.L.M. – Albania” u bë “C.I.T”. Në vitin 2013 shfaqet Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari. T.A.L.M Group në Doha të Katarit i dhuron kompaninë në Tiranë C.I.T, që kamuflon Institutin Kanadez, Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari.

Në gusht të vitin 2019 shfaqet Ramiz Zekaj, i cili i blen për një vlerë qesharake kompaninë C.I.T, për 900 mijë lekë, Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwarit, duke marrë në pronësi edhe godinën Kolegjit Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë në Tiranë.

Një pasuri me vlerë miliona euro kaloi në duart e studiuesit të orientalistikës dhe jurispudencës Islamike, Ramiz Zekaj për 900 mijë lekë. Në krye të shkollës vendoset Ramiz Zekaj. Instituti Kanadez ushtron një aktivitet jo transparent dhe tejet të dyshimtë.

Instituti Kanadez i Teknologjisë në Tiranë me president Ramiz Zekajn nuk është aseti i vetëm që kamuflon kompania e themeluar si degë e T.A.L.M Group në Doha të Katarit.
Katari mbështet financiarisht shoqata që financojnë terrorizmin
Mbretëria e Arabisë Saudite, Republika Arabe e Egjiptit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bahreinit kanë caktuar 59 individë dhe 12 shoqata që kanë financuar organizatat terroriste, duke marrë mbështetje financiare nga Katari. Në një deklaratë të përbashkët thuhet se; “Si rezultat i shkeljes së vazhdueshme nga autoritetet në Doha të detyrimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara prej tyre, duke përfshirë premtimin për të mos përkrahur ose fshehur elemente apo organizata që kërcënojnë sigurinë e shteteve dhe për të mos injoruar kontaktet e përsëritura që ata kërkuan për të përmbushur ato që kishin nënshkruar në Marrëveshjen e Rijadit të vitit 2013, në mekanizmin e tyre të zbatimit dhe në marrëveshjen suplementare më 2014; Të katër shtetet kanë rënë dakord të klasifikojnë 59 individë dhe 12 subjekte në listat e tyre të ndaluara të terroristëve, të cilat do të përditësohen në vazhdimësi dhe do të shpallen“.
Si u përvetësua shtypshkronja miliona euro në Xhafzotaj të Durrësit
Kjo godinë në Xhafzotaj të Durrësit, e cila funksionon si shtypshkonjë, me vlerë miliona euro, është një tjetër pasuri produkt i donancioneve të errëta nga Katari dhe Kuvajti. Pasuria është përvetësuar nga profesori Ramiz Zekaj, duke e kaluar në emrin e bashkëshortes së tij Ndriçime Zekaj dhe që administrohet nga vëllai i tij Rasim Zekaj, i skeduar për krime ekonomike nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës.

Godina kamuflohet me fondacionin MILENIUM I RI 2, i cili ka qarkulluar shuma të mëdha donacionesh në mungesë të plotë transparence. Përmes këtij fondacioni, me lidhje interesash me Institutin Kanadez, pastrohen çdo vit qindra mijëra euro, ndërsa shtypshkronja ushtron një aktivitet formal, për të mbuluar pastrimin e parave.

Më konkretisht, në shtator 2016 themelohet fondacioni MILENIUM I RI 2, me objekt prodhim materiali për shtypshkronjë dhe amballazhi për fason. Fondacioni është në pronësi të kompanisë Sky General Trading (52 %), Mileniumi i Ri (40 %) dhe Rasim Zekaj, vëllai i Ramiz Zekaj, me 8 % të aksioneve, i cili është edhe administrator.

Pronare e kompanisë Mileniumi i Ri, që ka 40 % aksioneve të fondacionit që kamuflon shtypshkonjën me vlerë miliona euro, është Ndriçime Zekaj, bashkëshortja e Ramiz Zekajt. Zonja Zekaj, e cila ka qenë disa herë objekt vjedhje për shkak të shumave të parave cash që mban në banesë, kontrollon edhe fondacione të tjera, përfshirë edhe shoqatën Gruaja, e cila qarkullon para të dyshimta.


Mileniumi i Ri, është themeluar në vitin 2003 dhe ka si objekt veprimtarie shtypshkronjë, por edhe ndërtim objektesh. Mileniumi i Ri, që ka qarkulluar para të errëta donacionesh, është fija me të cilën grupi Zekaj kontrollon Mileniumin e Ri 2, një pasuri me vlerë miliona euro, gjithnjë produkt i donacioneve të errëta.
Ndërkaq, kompania SKY GENERAL TRADING, që ka shumicën e aksioneve tek Mileniumi i Ri 2, funksionon si një agjenci imobilare, duke pastruar paratë e donacioneve në pasuri të paluajtshme.

Jo rasësisht, administrator i kompanisë SKY GENERAL TRADING rezulton Rasim Zekaj, vëllai i Ramiz Zekajt, një personazh kyç në qarkullimin e parave dhe menaxhimin e pasurive produkt i donacioneve të errëta.
Radio, dyqane dhe shoqata
‘Kumbari’ Ramiz Zekaj kontrollon radion me karakter fetar ‘Kontakt’, një rrjet dyqanesh, vilash, ndërtesash dhe Shoqatën Gruaja, që të gjitha kamufluar në emrin e vajzës dhe bashkëshortes, zonjës Ndriçime Zekaj.

Si shoqata Gruaja, ashtu edhe radioja janë produkt i donacioneve nga vendet arabe dhe qarkullojnë qindra mijëra euro të dyshimta. Media dhe shoqata ekspozojnë edhe një rrjet dyqanesh, me burim tejet të dyshimtë, në pronësi të vazës së Ramiz Zekajt./prapaskena

