Rreth 80 punonjëse të një fasonerie në Portëz të Fierit protestuan përpara Zyrës së Punës për atë që e cilësuan skllavërim dhe një ulje page pa paralajmërim. Inspeketorati I Punës lajmëroi se hetonte rastin, ndërsa kompania nuk iu përgjigj

Rreth 80 punonjëse të fasonerisë Intex në Portëz të Fierit protestuan të premten përpara Zyrës së Punës për uljen e pagave pa paralajmërim dhe kushtet e vështira në punë. Zonjat u ankuan me tone të ashpra ndaj pronarit italian të kompanisë, i cili, sipas tyre i fyen, i shan dhe pushon nga puna cilëndo që kërkon rritje page apo kushte më të mira.
“Po punojmë në sklllavëri, unë në kontratë e kam pagën 17 mijë lekë dita, po kur e marr në bankë shoh që është 15 mijë. Tani na kanë trefishuar pa paralajmërim shpenzimet për transportin, nga 8 mijë e kanë bërë 18 mijë lekë në muaj (të vjetra) dhe nuk na lajmëruan vetëm pamë pagat që ishin më të ulëta”, tha për BIRN Kristina Kamberaj, një prej punonjëseve.
Një tjetër punëtore shtoi se për shkak të ndërrimit të pronarëve atyre u është vendosur gjobë për dy punësim me që procedurat e transferimit nuk ishin kryer në rregull nga kompania.
“Edhe gjobë kemi për të paguar, të gjitha ne. Kur e blenë para 2 vitesh këta pronarët e rinj fasonerinë, ne dolëm të punësuara në dy vende e duhet të paguajmë nga 100 mijë lëkë te tatimet”, thotë Eriselda Jashari.
Gruaja denoncon se ato fyen dhe keqtrajtohen nga pronari i kompanisë. “Keqtrajtime dhe sharje nga më skandalozet nga pronari italian. Në Itali a do guxonte ai të fliste me punonjësit si bën këtu?!”, thotë Jashari, që shton se ulja e pagave solli edhe protestën.
Një tjetër punonjëse thotë se problemet erdhën me ndryshimin e pronësisë. “Ne punojme në këtë fasoneri që nga viti 2019. Me pronarët e parë ishim në rregull”, thotë Anila Lepa, punonjëse e vjetër e rrobaqepësisë në Portëz.
Inspektoriati I Punës për rajonin e Fierit tha për BIRN se do të nisë menjëherë procedurën e inspektimit bazuar në denoncimin e punonjësve. “Patjetër që do të nisë procedura e inspektimit për rastin dhe rezulatet do tua vendosim në dispozicion”, tha Tereza Lapaj drejtoreshë e Inspektoriatit për BIRN. Deri në publikimin e këtij artikulli përfaqësues të kompanisë Intex ishin të paarritshëm.