Në Shqipëri, pak janë zonat ku konflikti për pronat ka prodhuar aq shumë skandale sa në Farkë. Njësia Administrative, dikur komunë, është shndërruar në një vatër ku dokumentet falsifikohen, aktet e pronësisë riciklohen dhe lejet e ndërtimit shpërndahen si favor politik për oligarkët.
Viktimat janë qytetarët e thjeshtë, të cilëve u është rrëmbyer pasuria, ndërsa drejtësia mbetet e pafuqishme përballë lidhjes së ngushtë mes politikës, administratës dhe biznesit.
Në vitin 2011, Prokuroria e Tiranës çoi përpara gjykatës një dosje të bujshme për falsifikim dokumentash. Skema kishte për qëllim tjetërsimin e qindra mijëra metrave katrorë tokë në zonën e Mjull Bathores. Mes të pandehurve ishin Masar Dushku, Fiqiri Dallashi dhe Halil Teqja, persona përgjegjës për administrimin e tokave në ish-Komunën Farkë.
Ata u shpallën fajtorë për falsifikim dokumentash dhe aktet e pronësisë (AMTP) që kishin lëshuar u shpallën të pavlefshme. Në letër, kjo duhej të kishte qenë fundi i historisë. Por në realitet, ishte vetëm fillimi.
Pas disa vitesh, në skenë shfaqet emri i Ardian Tufës, i akuzuar nga banorët dhe burime lokale se ka ripërsëritur të njëjtën skemë, u ka dhënë sërish të njëjtave persona AMTP të reja mbi të njëjtat pasuri të shpallura më parë të falsifikuara. Kjo praktikë e jashtëligjshme, në vend që të ndëshkohej, është mbuluar nga heshtja institucionale.
Në këtë mënyrë, prona të kontestuara dhe të falsifikuara kanë përfunduar sërish në qarkullim, duke hapur rrugën për një tjetër hap, legalizimin përmes lejeve të ndërtimit.
Burime pranë Bashkisë Tiranë tregojnë se mbi këto prona janë dhënë leje ndërtimi, të firmosura nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Përfituesi kryesor i këtij zinxhiri vendimesh është oligarku Behar Çukaj, i cili ka përfituar hapësira të mëdha ndërtimore falë një skeme të cilën qytetarët e Farkës e përshkruajnë si “plaçkitje të ligjshme”.
Kjo tregon se përveç individëve që falsifikojnë dokumenta, sistemi politik dhe administrativ bëhet palë duke e legalizuar grabitjen.
Pavarësisht se në vitin 2011 u provua në gjykatë se dokumentet ishin të falsifikuara dhe u dhanë dënime, sot historia përsëritet me të njëjtët emra dhe të njëjtat prona. SPAK, institucioni që duhej të godiste krimin ekonomik dhe korrupsionin e nivelit të lartë, duket krejtësisht i pafuqishëm ose i painteresuar të hapë dosje të tilla.
Banorët thonë se shkaku është i qartë, lidhjet e ngushta të Ardian Tufës me politikën dhe mbështetjen e oligarkëve të fuqishëm, që garantojnë mbrojtje nga çdo ndjekje penale.
Rasti i Farkës nuk është i izoluar. Ai është simbol i mënyrës se si funksionon korrupsioni në Shqipëri: një skemë e qartë ku dokumentet falsifikohen nga zyrtarët lokalë, legalizohen nga pushteti vendor dhe përfundojnë në duart e oligarkëve, të cilët marrin leje ndërtimi e përfitojnë miliona.
Në mes mbeten qytetarët e zakonshëm, të cilët nuk gjejnë drejtësi, ndërsa prona e tyre shndërrohet në pasuri për të tjerët.
Farka është një provë se si mungesa e ndëshkueshmërisë i kthen kriminelët në administratorë të pronave publike dhe private. Dhe derisa drejtësia të guxojë të hetojë realisht, grabitja e tokave do të vazhdojë të bëhet me firma, vula dhe bekimin e pushtetit politik.
SPAK ka në dorë një dosje të pastër korrupsioni e tjetërsimi pronash, ku mbi 34.000 m² tokë në Farkë janë grabitur përmes dokumenteve të falsifikuara dhe sot kanë përfunduar në duart e oligarkut Behar Çukaj me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë; megjithatë mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme do të ketë guximin të hetojë këtë aferë që prek pushtetin lokal, zyrtarë të administratës dhe lidhjet e ngushta mes politikës dhe biznesit.
Nëse drejtësia do të vepronte me të njëjtat standarde për të gjithë, Ardian Tufa dhe Erion Veliaj do të duhej të përballeshin në të njëjtën qeli, pasi skema e grabitjes së 34.000 m² tokë në Farkë është e lidhur ngushtë mes falsifikimeve të Tufës dhe legalizimit përmes lejeve të ndërtimit të firmosura nga Veliaj, duke i hapur rrugë përfitimit të oligarkut Behar Çukaj.