Një dem rrace si Xhelal Mziu mund ta rilindë Partinë Demokratike

Kandidati për deputet i PD-së në Dibër, Xhelal Mziu, një ish dajrexhi, i shpallur “Doktor” duke vjedhur temën e diplomës, makthi i vajzave dhe grave kur drejtonte Bashkinë e Kamzës, nga ku mori edhe nofkën ‘mëzati i Kamzës’, pritet të jetë një nga goditjet e para të SPAK pas zgjedhjeve të 11 majit. Mziu, i cili ka qenë një nga protagonistët më negativë të kësaj fushate me akte dhune, përplasje, shpifje, kapërdisje me kalë, makina luksoze dhe para të pista nëpër fshatra, ka disa procedime penale në SPAK për pastrim parash, fshehje pasurie dhe krime zgjedhore.

Në duart e prokurorit të SPAK Elvin Gogaj është një dosje penale për veprimtarinë e dyshuar korruptive të Mziut kur drejtonte Bashkinë e Kamzës. Në fund të mandatit, Mziu ka diktuar disa tendera në formë koncensioni me vlerë miliona euro. Paratë që janë prodhuar nga kjo skemë e dyshuar korrupsionit, besohet se janë investuar nga Mziu në pasuri të paluajtshme, kamufluar në emër të njerëzve të afërt.

Një burim jo zyrtar theksoi se kërkesa e SPAK për arrestimin e Xhelal Mziut qëndron prej disa javësh në tavolinën e gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka, e cila ditët e fundit ka qenë objekt sulmesh nga PD, ku në lojë besohet se janë edhe shërbimet greke. Pranimi i kërkesës së SPAK duket se është shtyrë nga GJKKO pas 11 majit, me qëllim për të mos ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, ku PS-ja ka shprehur hapur objektivin për një përmbysje në Qarkun e Dibrës.

Xhelal Mziu u arrestua në dhjetor të vitit 2013 për afera me tendera në Bashkinë e Kamzës, por duke përfituar nga ndikimi i fortë i partisë së tij mbi gjykatat, Mziu u lirua pas disa ditësh. Mziu u dënua nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2015 me dy vite burg, por arriti të marrë pafajësinë në Apel. Vendimi ishte skandaloz, pasi prokuroria kishte faktuar ndërtimin e një rruge para se të zhvillohej tenderi.

Pjesë e trupit gjykues që shpëtoi Mziun në Apel ishte edhe ish gjyqtarja Farmira Hajdari, e cila u shkarkua nga Vetingu pasi nuk justifikonte një pasuri me vlerë 1 milionë euro si dhe kishte fshehur heqjen e vizës amerikane si e korruptuar. Nisur nga provat në dosjen e prokurorisë, mbyllja e kësaj çëshje në Apel, është një aferë më vete korruptive.

Në 2011, Xhelal Mziu ishte protagonist i një tjetër skandali të rëndë, ku përdorte funksionin publik, atë të kryebashkiakut të Kamzës, për favore seksuale. Mziu ishte kthyer në makthin e grave dhe vajzave që punonin në Bashkinë e Kamzës. Guximin për t’a denoncuar e mori një punonjëse e bashkisë së Kamzës në vitin 2011, të cilës Mziu i dërgonte mesazhe, ku e ngacmonte, madje i kishte vendosur edhe epitetin “shamikuqja”.

Pasi vajza refuzoi Mziun, ky i fundit angazhoi disa punonjës bashkie, të cilët e dhunuan. Dhuna erdhi pasi e reja denoncoi Mziun tek zyrtarë të lartë të PD, përfshirë Jozefina Topallin dhe Flamur Nokën. 

Jetoj me frikë në çdo moment dhe kudo që hedh hapat ndihemi të kërcënuar. Këtu jemi mbledhur sot për të folur për dhunën ndaj grave në vendin e punës dhe unë jam një ndër të dhunuarat. Unë kam punuar në Bashkinë e Kamzës dhe nga kryetari i kësaj bashkie, Xhelal Mziu jam dhunuar psikologjikisht dhe kam pasur edhe ngacmime seksuale. Pas ankesave të mia që bëra tek deputeti i zonës Myqerem Tafaj, tek kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe tek deputeti i PD-së, Flamur Noka, askush nga këta nuk më dha një zgjidhje. Madje as zonja Topalli, e cila është femër dhe mendoja se do gjeja mbështetje. Në fakt dua të saktësoj se mesazhet që kam publikuar nuk janë të vetmet, por ka edhe shumë të tjera që më vinin nga kryetari duke më ngacmuar seksualisht. Jam ndier e dhunuar jo vetëm nga eprori im, por edhe jam paragjykuar nga kolegët e mi. Por fatkeqësia ime nuk u ndal me kaq, por dhuna vazhdoi edhe më ashpër jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj të fejuarit tim. Ishim të dy bashkë dhe një polic i Bashkisë së Kamzës erdhi dhe na qëlloi, madje me tytën e pistoletës. Të dy përfunduam në spital dhe policia donte të na nxirrte sa më shpejt që të mos dukej se ishim dëmtuar shumë. Këmbëngulën mjekët që të rrimë në spital se ishim rëndë. Tashmë kanë kaluar 3 javë nga kjo ngjarje e rëndë dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse e kemi denoncuar atë. Madje marrim vazhdimisht kërcënime duke na thënë se as në hënë nuk do na lënë rehat nëse nuk e mbyllim këtë çështje. Tashmë kam mbetur jo vetëm e papunë por jetojmë edhe me frikë. Shpresojmë që shteti dhe kryeministri të mos i konsiderojnë jetët tona si flluskë sapuni, por të marrin masa“, denonconte e reja vardisjen e hamshorit të bashkisë. 

Xhelal Mziu jo vetëm i shpëtoi ndëshkimit për shkak të kapjes së drejtësisë nga partia e tij, por nuk u hap asnjë hetim për këtë rast, qoftë edhe formalisht. Më i rëndë ishte fakti që denoncimi i vajzës u injorua nga kupola e PD, madje kupola informoi Mziun.

Dy vjet pas këtij skandali, Universiteti Bujqësor, që ndodhet në Kamzë, i dha gradën “Doktor” Xhelal Mziut. Këtë gradë Mziu e ka marrë pasi Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit shqyrtoi disertacionin me temë “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në fushën Ekonomi dhe Agrobiznes, profili Financë-Kontabilitet”.

Në vitin 2019, studiuesi Vladimir Kola denoncoi se ish kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu kishte kopjuar doktoraturën. Kola zbuloi plagjiaturën e Mziut përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe dokumentet, që sipas tij e faktonin një gjë të tillë. Kola publikoi disa faqe për të cilat tha se Mziu i ka marrë dhe vetëm i ka përkthyer në shqip nga doktoratura të prezantuara në Universitetin Politeknik të Barit.

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, mbajtur në korrik 2021, Xhelal Mziu lexoi një fjalim, duke bërë disa gafa në harkun kohor të disa sekondave. Fjalimi i Mziut, i ngjashëm me atë të deputetes së ‘kërpëratave’, shkaktoi të qeshura në radhët e delegatëve. Përpos përmbajtjes me natyrë komike të fjalimit, Mziu dukej qartë se kishte vështirësi të theksuara në leximin e gjuhës shqipe. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...