Dosjet penale të Belgjikës dhe Spanjës për Haredin Fejzullën dhe organizatën e tij kriminale shpjegojnë modelin e pastrimit të parave që sot shfaqet në Tiranë përmes PRIMO Hotel. Burime të Krimit Ekonomik lidhin Neim Fejzullën me zhvatje ndaj shtetasve europianë, rekrutim kriminal dhe pastrim parash nën mbrojtje policore në Komunën e Parisit
Hetimi i Pamfletit mbi PRIMO Hotel në Komunën e Parisit nuk mund të lexohet i shkëputur nga profili kriminal i familjes Fejzulla. Skema që shfaqet sot në Tiranë si aktivitet ekonomik i dukshëm ka rrënjë të thella në dosje penale të ndërtuara prej vitesh nga autoritetet belge dhe spanjolle, ku emri Haredin Fejzulla rezulton i dokumentuar si drejtues i një organizate kriminale të strukturuar dhe fitimprurëse.
Haredin Fejzulla, 60 vjecar, është identifikuar nga autoritetet belge si kreu i një rrjeti të gjerë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, që operonte përmes modelit industrial të “shtëpive të barit”. Organizata ngriti mbi 20 plantacione të brendshme në Belgjikë, duke përdorur prona të marra me qira nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe identiteteve të rreme. Hetimet zbuluan se rrjeti gjeneronte rreth 4 milionë euro dhe funksiononte me role të ndara, logjistikë të centralizuar dhe mbledhje sistematike parash.
Për të shmangur gjurmimin, Haredin Fejzulla operonte me disa pseudonime, mes të cilave Vasileios Samaras, Spiros dhe Robotis Postolis, duke u paraqitur shpesh si shtetas grek. Këto identitete rezultojnë të përdorura në kontrata qiraje, lidhje shërbimesh dhe lëvizje ndërkufitare, elemente që dolën në pah gjatë hetimeve në Bruksel dhe Madrid. Pas dënimeve të dhëna në mungesë nga gjykatat belge, Fejzulla u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u përfshi në listat Belgium’s Most Wanted dhe Europe’s Most Wanted të Europol.
Arratia e tij përfundoi më 12 shtator 2024 në Madrid, pas një operacioni të përbashkët të ekipeve FAST të Belgjikës dhe Spanjës. Arrestimi konfirmoi jo vetëm profilin e tij kriminal, por edhe faktin se organizata vazhdonte aktivitetin edhe gjatë kohës që ai fshihej. Një element i rëndë në këtë dosje është përfshirja familjare. Djali i Haredin Fejzullës, Neim Fejzulla u dënua nga gjykata belge me tre vite burg për rol aktiv si asistent logjistik dhe roje e plantacioneve të kanabisit. Burg të cilin nuk e kreu kurrë. Burime policore belge dhe spanjolle kanë konfirmuar se familja funksiononte si një njësi e mbyllur operative.

Fragment i shkëputur nga mediat europiane
Në këtë kontekst, burime pranë hetimeve të krimit ekonomik në Shqipëri vendosin në qendër të vëmendjes Neimin, i njohur si Nino Fejzulla, i lindur më 23 nëntor 1992 në Peshtan të Fierit. Sipas këtyre burimeve, ai shfaqet si figurë drejtuese në fazën e re të aktivitetit kriminal, ku fokusi është zhvendosur nga droga te zhvatja financiare dhe pastrimi i parave.

Pallati ku kryhet aktiviteti i zhvatjes me call center
Informacionet e mbledhura tregojnë se Nino Fejzulla drejton një celulë call center-ash të përfshira në mashtrime dhe zhvatje ndaj shtetasve europianë. Paralelisht, ai përmendet si person kyç në rekrutimin e dhjetëra të rinjve nga Shqipëria për aktivitete kriminale jashtë vendit, përfshirë plantacione kanabisi dhe shërbime ndihmëse logjistike. Grupi i tij lëviz mes Spanjës, Belgjikës, Dubait dhe Tiranës, duke fragmentuar operacionet dhe duke shmangur përqendrimin e përgjegjësisë penale.
Pas verifikimeve të mëtejshme, rezulton se PRIMO Hotel është marrë me qira dhe nuk është blerë, por ky fakt nuk e përjashton përdorimin e tij si instrument pastrimi parash. Burime hetimore theksojnë se modeli i qirasë shmang ekspozimin e kapitalit fillestar dhe e zhvendos vëmendjen te qarkullimi i përditshëm i parasë. Hoteli funksionon normalisht, ka staf dhe infrastrukturë, por dyshimet lidhen me mënyrën se si aktiviteti i dukshëm përdoret për të filtruar para që burojnë nga droga dhe zhvatjet me call center.

Primo Hotel, Komuna e Parisit
Celula e call center-ave, sipas të njëjtave burime, ndodhet fizikisht në zonën e Komunës së Parisit, duke krijuar një afërsi funksionale mes vendit ku gjenerohet paraja kriminale dhe strukturave që shërbejnë për pastrimin e saj. Ky kombinim e zhvendos krimin nga periferitë e fshehta në një zonë qendrore të Tiranës, nën sy të publikut dhe larg kontrolleve.
Burime pranë Krimit Ekonomik flasin hapur për korrupsion të drejtpërdrejtë të shefave të policisë. Nuk bëhet fjalë për tolerim, as për neglizhencë, as për mungesë informacioni. Drejtues policorë kanë ditur për ekzistencën e call center-ave të Neim Fejzullës, për aktivitetin e tyre mashtrues ndaj shtetasve europianë dhe për përdorimin e PRIMO Hotel si mbulesë ekonomike, dhe megjithatë kanë garantuar që asnjë kontroll real të mos kryhet. Ky aktivitet ka vazhduar sepse është mbajtur i paprekshëm nga vetë struktura që duhet ta ndalonte.
Në këtë skemë, policia nuk ka qenë spektatore. Ka qenë faktor funksional. Prania e call center-ave në Komunën e Parisit, lëvizja e personave të lidhur me grupin e Neim Fejzullës, qarkullimi i parave dhe përdorimi i hotelit si aktivitet pastrimi parash nuk kanë ndodhur në fshehtësi, por në sy të organeve ligjzbatuese. Mosveprimi i përsëritur, në një zonë të kontrolluar dhe të monitoruar, përbën vetë provën e korrupsionit.
PRIMO Hotel nuk ka nevojë të jetë pronë për të shërbyer si instrument pastrimi parash. Mjafton të jetë funksional, të ketë staf, të ketë fluks ditor dhe të jetë i mbrojtur. Në këtë realitet, paratë e gjeneruara nga zhvatjet me call center dhe nga ‘shtëpitë e barit’ kanë gjetur një kanal të qëndrueshëm për t’u futur në qarkullim, ndërsa policia ka garantuar që askush të mos i pyesë nga vijnë.
Kjo është arsyeja pse kjo histori nuk lidhet vetëm me një hotel, as vetëm me një emër, por lidhet me një zinxhir kriminal ku paratë, aktiviteti dhe mbrojtja policore ecin së bashku. Dhe kur shefat e policisë bëhen pjesë e këtij zinxhiri, krimi nuk ka më nevojë të fshihet… /Pamfleti

