Mreti Edi Rama shpall Tik Tokun “armikun” e lagjes. Policinë dhe sistemin arsimor patronazhista shëmbullore

Pro dhe kundër/ Pse nuk bind Rama për “rrugaçin e lagjes” TikTok
Arsyet që jep Rama nuk bindin, vendimi drastik 6 muaj para zgjedhjeve

oksiciteti me të cilin algoritmi i TikTok ka ushqyer prej vitesh fëmijët që jetojnë në Shqipëri do të fshihet me detyrim nga menu e telefonit, të paktën për një vit. Bllokimi i aplikacionit së shpejti u njoftua nga kryeministri Edi Rama, i cili e kishte paralajmëruar atë, pas vrasjes së Martin Canit, nxënësit 14-vjeçar të shkollës Fan Noli në Tiranë.

Në një sallë të mbushur me qindra mesues dhe prindër, ku nuk pipëtinte askush, Rama e krahasoi TikTok-un me “rrugaçin e lagjes”, atë që askujt nuk i pëlqen ta shohë të shoqërohet me fëmijën e tij.

“TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTokun do ta mbyllim për një 1 vit. Kemi bërë hulutimiet tona në aspektin teknologjik, do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj dhe gjatë atij viti do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për filtra etj., si do të reagojë TikTok“, njoftoi Rama.
Bllokimi i TikTok me ligj, mund të shihet me pozitivitet, si një masë që i vjen në ndihmë çdo prindi të shqetësuar për ekspozimin e të miturve përkundrejt botës virtuale, aty ku filtrat janë të pakët dhe kujdesi për më të vegjlit nuk ekziston, aty ku mund të bien pre e shembujve të papërshtatshëm, përballë të cilëve janë të paaftë të gjykojnë dhe të mbrohen.

Duhet thënë se personazhet që spikatin në TikTok në Shqipëri dhurojnë shembuj dhe histori të jetës shpesh kontroverse, larg modeleve të suksesit deri diku të pranuara në shoqërinë tonë, tek të cilat një prind shpreson të shohë fëmijën e tij në të ardhmen.

Të famshmit e TikTok në Shqipëri, që ndiqen me ëndje nga dhjetëra mijëra fëmijë tregojnë bëma që lidhen me vrasje, trafik droge dhe të qënieve njerëzore, grabitje, pengmarrje, dhunues gjithfarë, përdorimin e drogës, përndjekje, shantazhe, racizëm, misogjeni, prostitutucion etj.

Shifrat tregojnë se përmbajtja që prodhohet në TikTok ka joshur dhjetëra mijëra fëmijë që kanë rënë në grackën e promovimit të krimit, pornografisë, dezinformimit, ngacmimeve dhe rreziqeve të tjera që ata nuk kanë aftësitë ose përvojën për t’i menaxhuar.

Është tashmë fakt, se ndryshe nga Facebook, Instagram apo Youtube, rrjeti social TikTok ka filtra më të dobët mbi përmbajtjen virtuale që qarkullon dhe një algoritëm që me gjasë e nxit konfliktin, në funksion të fitimit të shumave të mëdha të parave.

Rama mbyll Tik Tok-un 5 muaj para zgjedhjeve

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Përdorues të TikTok nuk janë vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.

Ndërsa vulgu dhe fenomenet e dëmshme dominojnë në TikTok, kohët e fundit në këtë rrjet social gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë edhe zhvillimet e jetës publike.

Lajme të fundit, video të shkëputura nga debate, komente për skandale apo politika qeveritare apo materiale me përmbajtje shoqërore po bëhen gjithnjë e më shumë virale.

Për vetë natyrën e këtij rrjeti social, një material filmik shpërndahet tek qindra mijëra persona shumë më lehtë se në Facebook, Instagram apo Youtube. Rrjeti social me qendër në Kinë hyri në tregun botëror me një shpejtësi të rrufeshme.

TikTok kapi në befasi gjigandët kibernetikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur infektoi miliona përdorues dhe duke sjellë risi në filmimin, montimin dhe transmetimin e videove, shoqëruar me një algoritëm agresiv dhe që i detyroi më pas Facebook dhe Instagram të ndryshonin qasjen ndaj përmbajtjes së tyre.

I njëjti fenomen u vu re edhe në Shqipëri. I njohur për maninë për të ndërvepruar në rrjetet sociale, kryeministri Rama ishte ndër të parët politikanë që njoftoi krijimin e një profili në Facebook.

Sot ai numëron rreth 1.6 milion ndjekës në FB dhe s’ka asnjë dyshim se socialistët me politikat e tyre e dominojnë propagandën në këtë rrjet social. Nuk ndodh kështu në TikTok.

Në Shqipëri, njësoj si në të gjithë botën, TikTok i kapi në befasi ekspertët e rrjeteve sociale. Duke qenë se ishtë ndër më të vonët që e përqafoi TikTok, Rama nuk dominon në këtë rrjet sociale.

Mjaftojnë pak minuta “scroll” për të kuptuar se propaganda e qeverisë shqiptare në TikTok nuk pi ujë. Nëse janë interesante, videot bëhen virale në pak sekonda pavarësisht se kujt force politike i përkasin. Batutat në TikTok shndërrohen në trend brenda pak ditësh duke sfiduar ushtrinë online të ankesave, që mobilizon Partia Socialiste sa herë ka pakënaqësi me publikime të caktuara në Facebook.

Prandaj vendimi drastik i Ramës për ta mbyllur TikTok është i dyshimtë. A po tregohet hipoktrit kryeministri kur thotë se ka vendosur të mbyllë TikTok sepse është i shqetësuar për përdoruesit e mitur? Mos vallë po eleminon 6 muaj para zgjedhjeve, të vetmin rrjet social, ku nuk dominon dot?

Detajet që i shtojnë dyshimet për hipokrizinë e Ramës janë disa.

Së pari, Rama e paralajmëroi mbylljen e TikTok pas sherrit me thika, ku mbeti i vrarë i ndjeri, Martin Cani. Por TikTok nuk kishte asnjë lidhje me shkaqet e sherrit mes fëmijëve. As mësuesit, as prindërit, as nxënësit e shkollës nuk kanë thënë ndonjëherë se konflikti nisi për shkak të TikTok. Të gjithë thonë se ata u grindën në pushimin e gjatë në shkollë për arsye të tjera.

Për më tepër në shkollën Fan Noli dhe në qeveri nuk ka asnjë reflektim, nuk është dorëhequr askush, dhe as nuk u interesua njeri pranë familjes së të ndjerit Martin Cani. Më shumë se një ngjarje sensibilizuese, vrasja e 14-vjeçarit duket se po përdoret si sebep propagandistik.

Së dyti, Rama organizoi një konsultim fals pas ngjarjes në shkollën Fan Noli, sipas një modeli që Rilindja e përdor sa herë i duhet të justifikojë një vendim të marrë më parë. Brenda një muaji ai ka zhvilluar disa aktivitete me mësues, të cilët kanë qenë kryesisht në rolin e figurantëve dhe nuk kanë folur as për TikTok dhe as për ndikimin që ky rrjet sociale ka tek fëmijët. Ende sot është e paqartë se përse Rama vendos të mbyllë TikTok dhe jo Snapchat apo X, që kanë një algoritëm po kaq “tolerant” ndaj kulturës së dhunës dhe fenomeneve negative.

Mungesa e komunikimit real me mësues dhe prindër, tregon se vendimi për ta mbyllur TikTok ishte marrë më parë dhe se konsultimet për sy e faqe u bënë për ta justifikuar kryeministrin.

Së treti, vendimi i Edi Ramës për të mbyllur TikTok nuk është i përhershëm. Ai do të zgjasë vetëm një vit. Ndërkohë, jemi vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të zhvillohen në 11 Maj.

A mund të jetë rastësi që 6 muaj para zgjedhjeve, politikani më i fiksuar pas rrjeteve sociale, vendos të mbyllë një rrjet social në të cilin nuk ka asnjë fuqi dominuese?

Së katërti, motivi që e shtyn Edi Ramën të mbyllë TikTok, thotë ai, është shqetësimi nga “rrugaçi i lagjes”, siç e quan ai TikTok.

Por në realitet, profili i Ramës si politikan ka qenë i lidhur ngushtë me rrugaçët e lagjes. Në qeverisjen e tij rrugaçët u shpërblyen me statuset elitë të shoqërisë, kur u bënë deputetë, kryetarë bashkie, shefa policie, drejtorë të ndërmarrjeve të mëdha etj, pozicione që Rilindja ia dhuroi dhe ia njohu me bujari për ndihmën që i këta i jepnin në zgjedhje.

Gjatë 12 viteve të fundit, shembujt kur Rama ka justifikuar dhunën rrugaçërore janë të shumtë.

Për të gjitha këto, arsyet që e motivuan Ramën të mbyllë TikTok duhen marrë me rezerva. Më shumë se e ardhmja e fëmijëve, kryeministri ka treguar se është i interesuar për të tashmen e të rriturve. Të atyre që sot e dëgjonin, miratonin dhe nuk kundërshtonin./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...