Arsimi profesional/ Rama: Duhen zgjeruar numri i shkollave
Në vijim të takimeve dedikuar arsimit dhe vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama, ishte sot në shkollën profesionale “Beqir Çela”, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe.
Rama bëri të ditur se këtë vit numri i të regjistruarve ka arritur në 1 mijë e 200 nxënës në total dhe ku 400 janë vetëm regjistrime të reja, 20% më shumë se një vit më parë.
“Keni bërë shumë mirë që keni ardhur këtu edhe të mësoni sa më mirë se do e shihni që sa të dilni, do gjeni punë, e do gjeni punë të paguar mirë”, inkurajoi kryeministri nxënësit.
Kreu i qeverisë deklaroi se duhet të zgjerohet më shumë numri i shkollave profesionale.
“Ne duhet të hapim më shumë vende, duhet të zgjerojmë më shumë numrin e shkollave, duhet të shohim edhe shkolla, të cilat funksionojnë sot në gjithë sistemin e arsimit të përgjithshëm që të dualizohen brenda për brenda, por një pjesë e shkollës mund të jetë e përgjithshme , një pjesë mund të jetë profesionale ose komplet profesionale, por kjo është po ashtu edhe mundësia tani, se është shembull konkret, se nuk është me llafe siç e thoshim përpara dhe s’besonte njeri që të përsëritet tek prindërit, të përsëritet tek nxënësit, të përsëritet tek të gjithë që të shkosh në arsim profesional, nuk është si të shkosh në kategorinë e dytë. Sepse e para edhe në arsimin profesional, po të duash ti, mund të shkosh në universitet për çdo degë që ti do, ndryshe nga ai që bën arsimin e përgjithshëm dhe shkon në universitet dhe pastaj në fund fare pretendon një gjë të madhe, por i ngelet diploma në dorë.
Ti që ke bërë arsimin profesional në të gjitha rastet ke zanat dhe me atë zanat, ti, jo vetëm që punon gjatë kohës që kryen studimet, por ti fiton të gjitha ato shqisat e nevojshme për të bërë edhe sipërmarrjen tënde, jo thjeshtë për të shkuar e për të punuar tek të tjerët, po të bësh sipërmarrjen tënde të vogël të shërbimit; elektroauto, hidraulik, elektricist, IT, etj etj dhe pa diskutim që ky është arsimi i të nesërmes për shumicën. Për atë pjesë pastaj që synon botën akademike etj, normal që është universiteti, por për shumicën ky është arsimi i së nesërmes dhe arsimi që të jep punë të mirëpaguar sot, sepse sot të gjitha ata që kanë zanate, shkojnë tek sipërmarrja edhe vendosin pagën pa diskutim më lart se ç’ thotë ai do t’ia japë, dhe ia japin. Dhe tani dëgjon bizneset të thonë ‘’nuk e kemi më problemin a t’i japim lekët, problemi është a i kemi a s’i kemi këta që ne duhet të paguajmë , mjaftueshëm të kualifikuar”?”, theksoi Rama./ CNA