U bë kohë që na i mbushën mendjen me aksione “madhështore” të IMT-së dhe IKMT-së, gjoja për të vënë rregull. Por, sa herë shohim realitetin në sy, kuptojmë se këto “aksione” janë thjesht një farsë. Farsë ku roli kryesor i jepet qytetarit të vogël, ai që me mund e djersë përpiqet të mbajë gjallë një biznes të thjeshtë, ndërsa “oligarkët” dhe “të fortët” e pushtetit shohin shfaqjen nga Green Coast.
E Drejta e Oligarkisë apo Ligji i Shqipërisë?
Ndërsa bizneseve të vogla u prishen tendat me “rigorozitet” shembullor dhe u mbyllet dera e fitimit me një të rënë lapsi, ca të tjerë, me vila e pallate pa leje, me tenda sa një fushë futbolli, vazhdojnë të qeshin në fytyrë të ligjit. Pse? Sepse për ta, ligji është një tjetër “zgjatim” i qeverisë, një mjet për të shtypur të dobëtit dhe për të shpërblyer të fortit.
Ndërkohë, Pazari i Ri, ish-Blloku, Tirana e Re dhe zona të tjera “vip” gëzojnë imunitet të plotë. Aty ku ndërtimet pa leje janë kthyer në prova krimi për SPAK, IMT dhe IKMT kthejnë kokën. Ndoshta u ka rënë gripi i syve, ose thjesht, “urdhrat” vijnë nga lart.
Drejtësia e Dyfishtë dhe Teatri i Absurdit
Është qesharake, po aq sa dhe tragjike, të shohësh sesi gjobat “qesharake” për oligarkët bëhen “amnisti”, ndërsa për biznesin e vogël, çdo shkelje, sado e vogël, kthehet në një dënim me vdekje ekonomike. Kjo nuk është zbatim i ligjit, por shfaqje, ku aktorët e vetëm janë “të vegjlit” e ndëshkuar dhe shikuesit e thjeshtë që mbeten me gojë hapur para këtij teatri absurd.
Në fund të fundit, IMT dhe IKMT nuk janë aty për të mbrojtur interesin publik, por për të bërë pazar me interesat e tyre dhe të pushtetit. Qytetarë, vazhdoni të paguani taksa, sepse paratë tuaja shkojnë për të paguar ata që ua heqin bukën nga goja. Dhe pse jo, ndoshta edhe për të shëruar gripin e syve të atyre që “nuk shohin” shkeljet e të mëdhenjve!