Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura, për rreth dy orë, me anëtarët e Asamblesë së socialistëve në Tiranë.
Kryesocialisti ka dhënë orientimet për përgatitjet e fushatës elektorale, anëtarësimet dhe propozimet e emrave si kandidatë për deputetë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe dy drejtuesit politikë të Bashkisë Tiranë, Ogerta Manastriliu dhe Erion Veliaj, ndërsa mungonte Elisa Spiropali.
Siç ka raportuar CNA më herët, Rama në mbledhjen e së shtunës mbrëma, ashtu si në mbledhjen e kryesisë së PS-së dhe të Asamblesë, ka izoluar Erion Veliajn, duke e lënë Qarkun e Tiranës në drejtimin e dyshes Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, ndërsa Veliaj do të merret vetëm me punët e kryeqytetit, por jo me fushatën e socialistëve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, mediat e Veliajt raportuan se kryebashkiaku i Tiranës do të ishte drejtues politik i Tiranës dhe dy zonjat do t’i asistonin atij. Në fakt, Rama ka larguar Veliajn nga drejtimi i fushatës në kryeqytet dhe CNA ka mësuar në mënyrë ekskluzive se drejtimin e Tiranës e ka marrë Ogerta Manastirliu, ndërsa Veliaj është “mbyllur” në bashki.
Ashtu siç CNA e konfirmoi më herët, strukturat e socialistëve në Bashkinë e Tiranës do të drejtohen nga Ogerta Manastirliu, ndërsa Spiropali do të drejtojë bashkitë e tjera. Edi Rama ka thënë se Elisa Spiropali do të marrë drejtimin e Kamzës dhe Vorës, bashki që ajo i ka pasur edhe më parë. Gjithashtu, do t’i shtohen edhe Kavaja dhe Rrogozhina. Kryeministri ka theksuar se Veliaj do të qëndrojë në bashki.
Mësohet se në mbledhjen e kësaj të shtune Rama ka thënë se në Bashkinë e Tiranës ka ndodhur diçka e rëndë, referuar këtu aferës “5D” me drejtorët, por kreu i socialistëve ka theksuar se nuk duhet harruar si ka qenë bashkia në vitin 2013 kur socialistët erdhën në pushtet. Për këtë shkak, ai i ka kërkuar Veliajt të merret vetëm me punët e bashkisë, duke qëndruar larg fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
“Në Bashkinë e Tiranës ka ndodhur diçka e rëndë, por mos harroni si ka qenë në vitin 2013 kur erdhëm ne në pushtet. Imazhi i Bashkisë Tiranë është përtokë, beteja digjitale po fitohet nga opozita”, mësohet të ketë thënë Rama në mbledhje. Më pas e ka marrë fjalën kryebashkiaku Veliaj, i cili ka thënë: “Avioni im tani do të punojë me dy motorë”.
Pas kësaj, mësohet se Rama e ka ironizuar kryebashkiakun duke thënë: “Lali ka qejf avionin, por më mirë të rrijë te lokomotiva. Kur fluturon shumë lart nuk dihet ulja në pistë”.
CNA prej kohësh e ka theksuar se Rama nuk i beson më fushatën Veliajt dhe këtë fakt e ka rikonfirmuar në mbledhjen e së shtunës në Asamblenë e PS-së në Tiranë, ku duket se Rama ka izoluar Veliajn në bashki, duke e lënë jashtë fushës së “betejës” për zgjedhjet e 2025-ës./ CNA