Shkallët e “Bulevard”, instituti i artit dhe medias në rrugën “Zogu i Parë” në Tiranë, nisën të gumëzhijnë nga ecejaket e aktivistëve të komunitetit LGBTI+ të martën.
Si çdo pasdite para “Paradës së Krenarisë”, aktivistët e këtij komuniteti u mblodhën për të kryer provat e “himnit” që do të shoqërojë paradën, e cila këtë vit do të zhvillohet paraditen e së shtunës së 24 majit.
“Ne jemi vetë dashuria,
Nuk na mungon krenaria,
‘Krah për kra’ ecim bashkë,
Mësojmë botën si me dashtë,
Ngjyrat tona sot i ka liria.”
Teksti është përshtatur mbi melodinë e “Zjerm”, kënga që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, dhe do të shoqërohet me zhurmat muzikale të daulleve dhe zërave të aktivistëve për të shënjuar kështu jo vetëm një performancë, por një mesazh politik që tejkalon muret e institucioneve.
Për Ebi Spahiun, aktiviste e Aleancës LGBTI+, parada është dita dhe momenti më i rëndësishëm i vitit.
“Njësoj si fëmijët kur presin Krishtlindjen, presin Vitin e Ri, unë me të vërtetë pres ‘Pride-in’, sepse me të vërtetë gjatë periudhës që rritesha në Shqipëri dhe shihja se sa e thellë ishte homofobia dhe se sa e thellë ishe edhe fshehja e personave LGBT”, tha Ebi për Citizens.al.

Pavarësisht se ka marrë pjesë në shumë parada krenarie në shtetet e tjera, realizimi i këtij marshimi në Tiranë merr kuptim tjetër për Ebin.
“[Parada]… është një vend ku mund të shfaqem vetvetja dhe mund ta bëj pa frikë, shpresoj që një event i tillë t’u japë gjithashtu frymëzim personave të tjerë që ende janë duke pyetur veten nëse me të vërtetë kanë kurajën të dalin hapur dhe të jetojnë jetën ashtu siç duan,” shprehet Ebi.
Një tjetër zë që rezonon në provat për paradën është ai i artistes dhe aktivistes nga Kosova, Arlinda Morina, e cila drejton me megafon. Ajo prin grupin, që dalë-ngadalë merr sintoni duke u unifikuar në një këngë që buçet përtej mureve të institutit.
“Të jesh vetvetja është sfidë, por edhe liri. Prandaj, ata që të gjykojnë, edhe në se do të ishte dikush tjetër në vendin tënd, do të gjykonin po njësoj, prandaj, jeto!” thotë Arlinda, për të cilën parada e së shtunës do të jetë e disata në Tiranë teksa aktivizmi i saj në Prishtinë është mjaft i zëshëm.

Motoja e këtij viti, “Krah për krah”, sipas Arlindës është thirrje force, e cila inkurajon këdo të re dhe të ri, pjesë të komunitetit, që nuk e ka pranuar ende veten.
“‘Krah për Krah’, jemi rrethi më i fortë dhe askush nuk mund të na sfidojë ngjyrat që dalin nga brendësia jonë,” vijon ajo.
Për Xheni Karajn nga Aleanca LGBT, motoja është thirrje për solidaritet përballë një vale në rritje të urrejtjes dhe dehumanizimit.
“Një thirrje jo vetëm brenda komunitetit, por edhe me aleatët tanë, me çdo qytetar që beson në barazi, dinjitet dhe drejtësi,” thotë Xheni, e cila thekson se marshimi nuk është thjesht për krenari, por për mbijetesë dhe shpresë.
Ajo e sheh paradën si një kalim nga frika drejt një zëri të fuqishëm kolektiv, ndërsa risjell në vëmendje paradën e parë me vetëm 12 persona të mbajtur në vitin 2012 në Tiranë.
“Dikur ishim një grusht aktivistësh që kërkonim të thyenim heshtjen. Sot, jemi një lëvizje e gjallë, me ngjyra, me krenari dhe me aleatë. Por mbi të gjitha, kemi fituar hapësirë publike, kemi ndërtuar narrativën tonë dhe nuk jemi më të padukshëm”,kujton Xheni, e cila prej më shumë se një dekade është në ballë të kësaj përpjekjeje.

Për Bledin, një tjetër aktivist, kjo paradë është për të gjithë: “për personat ‘queer’, ata që kanë pranuar veten, por dhe për ata që brohorasin në heshtje, dhe përballen me mjaft sfida”.
Davidi, fotograf dhe person transgjinor, rrëfen për Citizens.al se marshimi në paradën e krenarisë për të nuk është për dekor festiv, por si akt politik.
“Marshoj për trupat tanë që janë politizuar pa dëshirën tonë, për identitetet tona që përfliten, gjykohen dhe censurohen. Marshoj për zërat tanë që janë heshtur me dhunë institucionale dhe shoqërore”, shprehet Davidi.
Sipas tij, ky marshim është edhe për të gjitha vajzat dhe djemtë ‘queer’ në qytetet e vogla të Shqipërisë, për ata jashtë vendit që kanë emigruar për siguri dhe për çdo individ të përjashtuar.
“Marshoj për versionin tim të mëparshëm për atë djalë që më parë e përbuzte pasqyrën, që fshihej nga vetja. Sot ai marshon me kokën lart, jo për të kërkuar mëshirë, por për të kërkuar drejtësi”, rrëfen Davidi.
Ky marshim për Blinin, aktivist i Aleancës LGBT është për të frymëzuar shqiptarët LGBTI+ që ndihen të rraskapitur nga urrejtja, dhuna, diskriminimi dhe bullizimi.
“Dua që të shikojnë se nuk janë vetëm dhe ia vlen të shtyjnë përpara sepse ka shpresë. Ka shpresë jo sepse dikush do të na i servirë të drejtat që meritojmë, por sepse do të luftojmë bashkë për t’i patur. Çdo gjë është e arritshme kur bëhemi bashkë“, shprehet Blini.

Në përpjekje të përditshme për të mposhtur sfidat
Rruga drejt barazisë dhe respektit të të drejtave të komunitetit është e gjatë, veçanërisht për një shoqëri patriarkale si shoqëria shqiptare. Ndaj edhe sfidat e të qenit pjesë e komunitetit LGBTI+ janë të përditshme.
Sfida këto, të cilat janë intensifikuar nga narrativa të ndryshme, shpesh edhe politike.
“Jemi përballur me gjuhë të hapur urrejtjeje nga figura publike dhe politike, me përpjekje për të na përdorur si gogol politik dhe me fushata të organizuara dezinformimi që na kanë portretizuar si rrezik për fëmijët dhe familjen”, tregon Xheni Karaj.
Sipas saj, këto sulme nuk kanë qenë ndaj tyre vetëm si individë, por edhe ndaj vetë “ekzistencës së dashurisë për familjet e tyre”.
“Kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe mirëqenien e shumë prej nesh”, tregon Xheni.
Sfidat kanë qenë të qenësishme për Blinin në vitin që lamë pas, që u diktuan edhe nga marrëdhënia e tij me familjen, shkëputur për disa vite.
“Mosnjohja ligjore e emrit tim, gjinisë time, paragjykimet në vende ku nuk ka persona LGBTI, rikthimi i marrëdhënieve me familjen me të cilën jam shkëputur për disa vite për shkak se e kanë të vështirë të më pranojnë kështu si jam. E kanë të vështirë sidomos prej gjykimeve të njerëzve, të cilët nuk kursehen që t’i bëjnë të ndihen keq për faktin se jam çun transgjinor“, ndan Blini me Citizens.al.

Për Davidin të qenit një person transgjinor në Shqipëri është sfidë për jetën dhe jo vetëm për identitetin.
“Ky vend vazhdon të mohojë të drejtat bazike për personat ‘trans’, qasjen në trajtim hormonal, mundësinë për një punë të sigurt, dhe dinjitetin në jetën publike e private. Për shumë prej nesh, vetë ekzistenca është rezistencë”, shprehet Davidi.
Pamundësia për të gjetur punë si transgjinor dhe mos-pranimi nga shoqëria e ka detyruar të emigrojë për të mbijetuar.
“…për të jetuar të lirë, për të pasur një shans drejt vetes. Dhe kjo është tragjedi që vendi ynë nuk na mbron, por na largon”.
Ndërsa, sipas tij të qenit edhe artist përpos transgjinor është sfidë e dyfishtë.
“Krijimtaria “queer” nuk mbështetet, nuk përfaqësohet, dhe rrallëherë merret seriozisht nga institucionet kulturore shqiptare. Mungon një rrjet real mbështetjeje për artistët queer, për personat me gjini jobinare dhe per komunitetin transgjinor jo vetëm për të na përfshirë, por për të kuptuar se zëri ynë është jetik, politik dhe i domosdoshëm në këtë kohë”, argumenton Davidi.
“Ne jemi këtu”
Për Bledin, ajo çfarë dëshiron që shoqëria shqiptare të kuptojë nga parada e krenarisë është pranimi se janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë.
“Ne kemi vlera dhe jemi po aq të rëndësishëm sa çdokush tjetër. Ne nuk lëndojmë kënd, ne thjesht dashurojmë dhe se dashuria s’është krim apo turp”,shprehet Bledi.
Sipas një raporti të Aleancës LGBTI+ në Shqipëri, 45% e të anketuarve LGBTI kanë përjetuar dhunë ose diskriminim në vitin 2024.
“40.8% e të anketuarve LGBTI nuk janë aktualisht dhe as nuk kanë qenë ndonjëherë të angazhuar në kontrata formale pune. 15.6% e të anketuarve LGBTI kanë filluar punësim informal. 34% e të punësuarve raportuan se kanë përjetuar ngacmim dhe paragjykim në vendin e punës për shkak të statusit të tyre LGBTI”, shpjegon raporti.
Sipas Xheni Karajt, parada nuk është provokim dhe as festë private, por është thirrje për barazi dhe dinjitet.
“Që jetojmë, duam, kontribuojmë, dhe se dashuria jonë nuk është as më pak e vlefshme, as më pak njerëzore. Duam që shoqëria shqiptare të kuptojë se të ecësh përkrah nesh nuk është akt ideologjik, por njerëzor. Një kujtesë që askush nuk është i lirë derisa të jemi të gjithë të lirë”, u shpreh Karaj.

Ndërsa Davidi, shprehet se nga shoqëria shqiptare kërkon që të kuptojë se nuk janë vetëm një komunitet minoritar.
“…por një forcë politike që kërkon të drejta të barabarta dhe shkatërrimin e strukturave patriarkale dhe diskriminuese. Jemi këtu për të kërkuar ndryshim real në ligje, në politika, dhe në mentalitet”.
Për Blinin, shoqëria shqiptare duhet të kuptojë se dashuria për vendin, traditën dhe zhvillimin e mëtejshëm është e pamundur pa personat LGBTI.
“Ne kemi qenë gjithmonë këtu dhe kemi dhënë e japim kontributin tonë të vyer për Shqipërinë“.
Të drejtat LGBTI+ të pashkruara në programet politike
Në zgjedhjet qendrore të 11 majit, partitë politike, kush më pak e kush më shumë, paraqitën para publikut programet e tyre elektorale. Mirëpo, në asnjë prej tyre, të drejtat e komunitetit LGBTI+ nuk u panë të reflektuara.
“Fatkeqësisht, pavarësisht se ka aghenda politike të majta, të paktën që prezantohen të tilla, nuk ka programe politike progresive akoma. Kjo ishte arsyeja që unë nuk u ndjeva e përfaqësuar. Nuk ndjehem ende e përfaqësuar”, u shpreh Ebi.
Njëjtë mendon edhe Xheni Karaj, duke theksuar se shumia e partive politike në Shqipëri vijojnë ti shmangin çështjet e komunitetit.
“Të tjera parti e kanë përdorur komunitetin tonë për të ushqyer panik moral dhe urrejtje. Ne nuk duam privilegje, kërkojmë thjesht përfaqësim real, mbrojtje ligjore dhe një vend në tavolinën ku merren vendimet që ndikojnë jetën tonë”, deklaroi ajo.
Për Ebin është shqetësuese që ka narrative politike që mundohen të kthejnë kohën pas.
“…që mundohet të zhbëjë të gjithë progresin që është arritur mbi të drejtat e njeriut, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, mbi çështjen, mbi personat LGBT, mbi personat transgjinorë, mbi personat e margjinalizuar dhe që janë në skajet e shoqërisë dhe që të kenë më shumë dukshmëri dhe që të kenë rolin e tyre që ju përket në shoqëri”, deklaron Ebi.