Ekskluzive/ Lidhjet e Erion Veliajt shkojnë tek ortakëritë me kompaninë ruse dhe inceneratorët
Në gati 7 vite, CNA ka qenë një nga mediat kryesore, e cila ka investiguar dhe zbërthyer në themel aferën rreth 200 milionë euroshe të inceneratorëve, ku në Elbasan është jashtë funksionit, në Fier nuk ka përfunduar dhe në Tiranën e Erion Veliajt nuk ekziston.
CNA ka treguar me dokumente se si Mirel Mërtiri, “truri” i inceneratorëve dhe miku i Erion Veliajt, së bashku me Klodian Zoton, pas dy inceneratorëve të parë shpikën skemën e tretë me disa miq të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Inceneratorët në Fier dhe Elbasan ndoshta janë një pikë ujë në oqean për kontratën, e cila në përfundim mund të shkonte në rreth 1 miliard euro në 30 vite.
Në dokumentet e publikuara nga CNA (dokumenti i Milanos, për takimet mes aksionerëve të rinj të përkohshëm që do të financonin inceneratorin e Tiranës, të zhvilluar në datën 1 shtator 2022, prezentë kanë qenë Mirel Mërtiri dhe administratorët e tij të kompanisë “Integrated Energy”, tashmë “Geogenix”, dhe nga pala tjetër Christophe Darbord dhe Blerim Hoxha, por në skenë shfaqen edhe emra të tjerë, të cilët çojnë lidhjet tek Armo, “Tosk Energy”, kjo e fundit e financuar dhe drejtuar nga “Gunvor”-i rus, por një lidhje e mëtejshme është edhe “Byllis Energy”.
Midis skemës së mëposhtme që ne do ta rendisim paksa gjatë për të bërë një shtjellim shterues, midis emrave që qarkullojnë, midis kontratave, marrëveshjeve të huave, në një nga kompanitë e mësipërme, ku dirigjon Blerim Hoxha apo Christophe Darbord, shfaqen edhe emra të tjerë.
Midis tyre edhe Marigona Metaj që zëvendësohet nga Blerim Hoxha në vitin 2018 për disa muaj dhe më pas rikthehet Marigona Metaj.
Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe Marigona Metaj, që dalin në dokumentet e takimeve mes Icare dhe Mirel Mërtirit kanë qenë prezentë në Shqipëri që nga shkurti i vitit 2015 si administratorë dhe pronarë të kompanive “ARMO” sh.a. (administrator) “Tosk Energy” (pronare dhe administrator), kompani, e cila është financuar dhe drejtuar nga “Gunvor”-i rus dhe “Byllis Energy”.
Kontratat e huasë me “Gunvor”-in rus
Kompania “Tosk Energy” është themeluar në qershor të vitit 2015, me pronar të vetëm shtetasin Blerim Hoxha, të lindur në Suharekë të Kosovës.
Në datën 26 maj 2016 Blerim Hoxha ia shet aksionet kompanisë zvicerane “CDF LONSEILS SARL”, me përfaqësues ligjor dhe pronar shtetasin francez, Christophe Darbord.
Në datën 6 tetor 2016 lidhet një kontratë pengu midis “Tosk Energy”, “CDF LONSEILS SARL” dhe “SKYSEA B.V.”, kompani e regjistruar në Holandë dhe që në marrëveshje citohet si ( “GUNVOR” ose pengmarrësi).
Sipas marrëveshjes, kompania “GUNVOR” do t’i japë kompanisë “Tosk Energy” 13.000.000 euro borxh për të blerë terminalin në Porto Romano nga kompania “GENKLAUDIS” sh.a.
Në datën 30 shtator 2016, vendimi i ortakëve ndryshon këshillin e administrimit, ku shtohen Christophe Darbord, Hoang Gia Mai (shtetas zviceran, drejtor i “GUNVOR”-it), Joel Chevallaz. Në atë kohë largohen Enver Maçastena, Behar Reçica dhe Lumbardh Kukaj.
Administrator caktohet Blerim Hoxha. Në shkurt të vitit 2018 largohet si anëtar i këshillit të administrimit, Hoang Gia Mai dhe emërohet shtetasi francez Charles Pierre Thibault Grosfilley.
Në shkurt të vitit 2017 përfundon marrëveshja e huas midis “Tosk Energy” dhe “Sky Sea” (GUNVOR) pasi nuk ka përfunduar me sukses negociata për të blerë terminalin nga “GENKLAUDIS”.
Në gusht të vitit 2017 lidhet një marrëveshje e re huaje mes “Tosk Energy”, “CDF LONSEILS SARL” dhe “GUNVOR” sa., por nga dokumenti i depozituar në QKB nuk kuptohet si do të përdoren, pasi është vetëm faqja e parë e skanuar.
Në tetor të vitit 2017 përfundon edhe kjo marrëveshje huaje dhe po në tetor lidhet një marrëveshje e re borxhi mes palëve (“Tosk Energy” dhe “GUNVOR” sh.a.).
Në gusht të vitit 2018 largohet anëtari i këshillit, Joel Chevallaz, dhe emërohet Christian Albert Edmond Forrer.
Po në vitin 2018 ndodh një transaksion për shitjen e 50% të aksioneve nga “Tosk Energy” te “SKYSEA” B.V. Ky veprim nuk pasqyrohet në QKB, por gjendet te Autoriteti i Konkurrencës.
Në maj të vitit 2019 autorizohen Marigona Metaj dhe Ilir Stafa për të kryer veprime bankare.
Pas vitit 2019 fillojnë bllokimet nga Tatimet dhe përmbarues privatë.
Në vitin 2022 riemërohen edhe njëherë anëtarët e këshillit Christian Albert Edmond Forrer, Charles Pierre Thibault Grosfilley dhe Christophe Darbord.
Në mars të vitit 2022 largohet si administrator Blerim Hoxha dhe emërohet Jerome Joseph Joachim De Sa.
Në prill të vitit 2022 largohet nga këshilli i administrimit Christophe Darbord, dhe emërohet Serge Alexander Maria Blankart.
Në tetor të vitit 2022 largohet nga këshilli i administrimit Charles Pierre Thibault Grosfilley dhe emërohet Akdemir Mucahit.
Lidhjet që shkojnë te familjarët e “vëllait” “non-grata” të Erion Veliajt
Kompania “Byllis Energy” sh.a. themelohet në prill të vitit 2020 me aksioner të vetëm kompaninë zvicerane “PGFS PILOTAGE & GESTIONS” sa, me përfaqësues ligjor shtetasin shqiptar Bernard Çumashi.
Këshilli i administrimit përbëhet nga Jacques Jean Chevallaz, Charles Pierre Thibault Grosfilley (është dhe te “Tosk Energy”), Serge Alexander Maria Blankart (është dhe te “Tosk Energy”).
Administratore është Marigona Metaj (e autorizuar për veprime bankare edhe te “Tosk Energy”).
Në janar të vitit 2018 largohet si administratore Marigona Metaj dhe emërohet Blerim Hoxha.
Në maj të vitit 2018 largohet si administrator Blerim Hoxha dhe emërohet Marigona Metaj.
Në gusht të vitit 2019, te kompania “Toks Energy” largohet nga detyra Marigona Metaj dhe emërohet shtetasi Arian Grubi, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe sipas të dhënave është djali i xhaxhait të ish-zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, “vëllai” i Erion Veliajt në Maqedoninë e Veriut që u shpall “non grata” pak kohë më parë.
Në prill të vitit 2022 largohet si administrator Arian Grubi dhe emërohet Jerome Joseph Joachim De Sa.( pra “Tosk Energy” dhe “Byllis Energy tashmë kanë të njëjtin administrator).
CNA më tej do të tregojë se emri që i lidh është Christophe Darbord, i cili prej fillimit të vitit 2015 është administrator i kompanisë “ARMO” sa. Ky person është drejtor i përgjithshëm te kompania aksionere e inceneratorit të Tiranës, “Icare”, e cila ka 40% të aksioneve te “Geogenix”, kompania mëmë e inceneratorit të Tiranës.
“Icare” është kompania e regjistruar në Zvicër dhe punonjës të saj janë Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe Marigona Metaj. Kjo e fundit ka vizituar edhe landfillin e Tiranës.
Nëpërmjet të tjera kompanive, këta individë kanë shkuar në financime dhe lidhje të tjera ekonomiko-financiare sa në Zvicër, në Holandë deri te tentakulat e “Gunvor” sa, një kompani e futur në listën e zezë të SHBA-së nga ish-presidenti Barack Obama.
“Icare” ka dy kompani satelitë, “Tosk Energy” dhe “Byllis Energy”, ku shfaqet edhe djali i xhaxhait të Artan Grubit, Arjani, si administrator.
Këto kompani, në bashkëpunim me biznesmenin Besnik Sulaj, nëpërmjet kompanisë “Deveron” dhe “IRTC” (regjistruar në British Virgin Islands) bën masakrën tek “ARMO”, e cila më pas u sekuestrua dhe rafineria i kaloi në pronësi një banke të nivelit të dytë, me një procedurë të kundërligjshme, kryer nga Alban Qazimi, (“vëllai” i Fatmir Xhafajt) dhe më pas banka ua jep me qira këtyre personave dhe në fund rafineria i shitet për skrap “Shijaku” sh.p.k.
Këto janë disa nga lidhjet që shkojnë sa nga Erion Veliaj tek ish-zv.kryeministri “non grata” i Maqedonisë së Veriut dhe familjarët e tij tek ata që masakruan dhe vodhën “ARMO”-n, te kompanitë që i marrin Mirel Mërtirit 40% të aksioneve për t’i siguruar investimin 100 milionë euro për inceneratorin e Tiranës, në një skemë emrash, e cila tregon mjaft mirë jo vetëm një grup të strukturuar kriminal ashtu siç i ka quajtur SPAK-u tashmë personat e përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, por një grup të zgjeruar përtej disa emrave që SPAK-u ka nën hetim dhe i akuzon, por që shkojnë te “Gunvor”-i rus, te familjarët e “non grata”-ve, miqtë e Erion Veliajt, bashkëpunëtorët e tij.
Këto skema dhe lidhje tregojnë deri ku shkonte kryebashkiaku i Tiranës, pse është i lidhur me Fatmir Xhafajn, si e blinte influencën në rajon dhe shpallte “vëllezër” “non grata”-t e SHBA-së./ CNA