O popull i mjerë, dëgjoni mirë këtu te Memexhiu, se çfarë po ndodh! Këta të pushtetit, që zunë qiellin me dorë, pasi na zaptuan bregdetin e na lanë pa frymë – sa na bënë meme botërore, me palma e me kulla si pallatet e sulltanëve – tani kanë nisur të na zënë edhe trotuaret! Po si ka mundësi, o njerëz të mirë, që aty ku duhej të shëtisnim si njerëz të lirë, sot është kthyer në kafene?!
A keni parë rreth Stadiumit “Air Albania”? Atje, ku dikur luhej futboll e fryhej flamuri, tani trotuaret i kanë dhënë me koncesion! Po me çfarë koncensioni, more dele?! Me koncensionin e xhepit të tyre, sigurisht! Do të thoni ju: “Po si, për çfarë?!” Për të shtruar ca tavolina e karrige plastike, e për të pirë kafe me syze të zeza, ndërsa qytetarët e ndershëm duhet të ecin në mes të rrugës, duke rrezikuar kokën!
Dhe jo vetëm kaq! Asnjë monopat, patinë apo biçikletë s’lejohet të qarkullojë rreth stadiumit! Po ç’është kjo gjë?! A mos u bë zona e “Air Albania” pronë private e ndonjë oligarku që s’do t’i bëhet zhurmë, apo mos është kthyer në bazë ushtarake ku s’bën të futet as miza?!
Këta s’kanë të ngopur! Nga deti, te mali, te lëndina, tani edhe trotuaret po na i marrin! Na kanë kthyer në një popull të strukur, që duhet të kërkojë leje për të hedhur hapin. Po kjo s’mund të vazhdojë kështu, o vëllezër! Këta po na bëjnë meme ndërkombëtare me këtë harbutëri, po na turpërojnë përpara botës!
