Nga larës pjatash tek diplomati i nivelit të lartë
Mediat austriake vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje Fate Velajt, ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë. Gazeta prestigjioze austriake Salzburger Nachrichten i ka kushtuar atij një faqe të tërë, duke ndërtuar një “story” të jetës së tij, që nis nga puna si pjatalarës në shtator të vitit 1991 dhe vazhdon me një rrugëtim të mbushur me djersë dhe lot, me lindje dhe humbje, mes dëshirave dhe ëndrrave.
Përmes këmbënguljes dhe pasionit, Fate Velaj arriti të bëhet një artist ndërkombëtar i njohur si piktor dhe fotograf, por edhe një shkrimtar i talentuar, me një stil tejet të veçantë dhe origjinal. Ai ka përfaqësuar Austrinë në shumë vende të botës dhe është mbështetur nga qeveria austriake në kuadër të iniciativave të shumta evropiane.
Për veprimtarinë e tij si ndërtues urash midis popujve dhe kulturave, Fate Velaj është vlerësuar me dekorata dhe tituj të lartë, si: “Nderi i Republikës së Austrisë”, “Kryqi i Artë i Austrisë”, titulli “Profesor” i akorduar nga Presidenti i Austrisë, si edhe çmimi “Qytetar Evropian” i dhënë nga Presidenti i Parlamentit Evropian. Ai ka marrë gjithashtu vlerësime të rëndësishme edhe në SHBA dhe në Itali.
Tashmë ai është ambasador i vendit tonë në Vjenë dhe ka fituar zemrat jo vetëm të institucioneve austriake, por edhe të qarqeve kulturore dhe diplomatike. Fate Velaj është shndërruar në një promotor të rëndësishëm të një lëvizjeje kulturoro-diplomatike mes përfaqësive të huaja në Vjenë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi përmes artit, dialogut dhe diplomacisë kulturore.

Më poshtë artikulli i shkruar nga Stefan Weigl:
Nga larës pjatash te diplomati i nivelit të lartë
Fate Velaj erdhi në Austri në vitin 1991 si emigrant. Sot ai është ambasador i vendit të tij të origjinës, Shqipërisë, në Vjenë – dhe njëkohësisht piktor, fotograf dhe shkrimtar.
Shumë diplomatëve u vishet reputacioni se janë disi të ngurtë dhe se i kushtojnë shumë rëndësi konvencioneve. Fate Velaj është krejt ndryshe – dhe kjo nuk është për t’u habitur: ai nuk ka ndjekur një akademi diplomatike dhe as nuk ka studiuar juridik. Përkundrazi, ai e njeh “poshtë-lart” vendin ku që nga mesi i vitit 2024 është i akredituar si ambasador. Velaj erdhi për herë të parë në Austri në vitin 1991, në moshën 28-vjeçare me vetëm rreth 50 euro (atë kohë me 100 Marka Gjermane) në xhep. Pas tri javësh në qendrën e pritjes së parë për emigrantët në Traiskirchen, ai përfundoi në rajonin Mostviertel të Austrisë së Poshtme, konkretisht në bujtinën Kreuztanne:
“Deri atëherë kisha ëndërruar gjithmonë të jetoja në një metropol – më së miri në Romë – por u dërgova në fshatin e vogël St. Anton an der Jeßnitz. Madje as aty, por në një Bujtinë në maj të malit” thotë Velaj
Dëshira e tij për një jetë në liri në Perëndim nuk ishte aspak e çuditshme. Shqipëria, ku për shkak të paranojës së diktatorit stalinist Enver Hoxha që sundoi me dorë të hekurt nga viti 1946 deri më 1985, ishte plotësisht e izoluar nga bota e jashtme.
“Ishim një vend i mbyllur me dry”, kujton Velaj, i rritur në qytetin e Vlorës. Dritarja e vetme drejt botës kishte qenë televizioni italian.
Fate Velaj erdhi në Austri për punë por me njohuri minimale të gjermanishtes:
“Dija vetëm fjalët ‘Halt!’, ‘Achtung!’ dhe ‘Stehenbleiben!’ të cilat dëgjoheshin pothuajse në çdo film në Shqipëri ku ushtarët e Wehrmacht-it gjerman kërkonin partizanët.”
Nga ana kulturore, azilkërkuesi i ri, i cili vinte nga një familje jo keq ekonomikisht, ishte i njohur me muzikën e Beethovenit dhe Mozartit, si edhe me letërsinë e Stefan Zweigut.
“Dhe e njihja nga televizioni Koncertin e Vitit të Ri.”
Megjithatë, pavarësisht se kishte përfunduar shkollën industriale, ai nuk pati mundësi të studionte në universitet dhe iu desh të punonte në sektorin elektro-teknik:
“Për çdo familje shteti lejonte vetëm një vend studimi. Atë e shfrytëzoi motra ime më e madhe.”
Shok kulturor: një kryqëzim ku për 30 minuta nuk kalon asnjë makinë
Mbërritja e tij në fshatin e vogël në rajonin Mariazellerland ishte një shok kulturor, të cilin Velaj e përshkruan me saktësi, por gjithsesi me mirësi, në romanin e tij autobiografik „Kreuztanne“. Një skenë kyçe aty të kujton madje edhe veprën e Beckett-it “Duke pritur Godonë”.
Të nesërmen e mbrritjes, ai pa se pranë bujtinës në maj të malit, ishte një kryqëzim, ku ishin të shënuara e drejtimet për tre vendbanime – Frankenfels, St. Anton dhe Puchenstuben ku secili në distancë prej pesë kilometrash. Ai deshi të priste pak, për të marrë një ndjesi për zonën përreth:
“Prita atje me shpresën të shihja nëse nga një drejtim vijnë më shumë makina, që do të thoshte se atje ka një vendbanim më të dendur, ku mund të pyes për punë. Por pas 30 minutash vura re se asnjë makinë e vetme nuk kishte kaluar nëpër kryqëzim.”
Megjithatë, Velaj, i cili e quan veten një “refugjat nga kureshtja” gjen shpejt punë. Puna e tij e parë ishte si larës enësh në kuzhinën e Kartauses në Gaming. Pas disa punëve të tjera të rastësishme, si luleshitës etj, vjen shpejt edhe punësimi i parë i ligjshëm, si punëtor prodhimi në një firmë në Kienberg bei Gaming:
“Atje prodhoja bombola gazi prej çeliku.”
“Refugjati nga kureshtja” nis të pikturojë në kohën e lirë
Për të mbushur boshllëkun e mërzisë, Velaj nis të pikturojë në kohën e lirë në bujtinë, dhe edhe këtu ka sukses të shpejtë:
“Një mysafir që ndodhej rastësisht aty ma bleu një nga akuarelet e mia të para për 1000 shilinga. Kjo ishte pothuajse aq sa fitoja për një javë punë si luleshitës.”
Megjithatë, shqiptari i etur për të mësuar (“gjithmonë kam dashur të di si janë austriakët”) mbetet për gjashtë vjet e gjysmë punëtor turnesh në fabrikën e metalit, sjell gruan e tij të ardhshme nga Shqipëria dhe organizon ekspozitat e para të pikturave të tij. Por familja Velaj përballet edhe me një tragjedi të rëndë:
“Më 17 prill 1993, vajza jonë lindi e pajetë në spitalin e Scheibbs-it.”
Me ndihmën e shumë miqve të rinj, çifti e përballon këtë goditje të fatit dhe në vitin 1998 guxon një fillim të ri: Fate Velaj jep dorëheqjen nga fabrika e metalit (“me këtë hoqa dorë nga një dëmshpërblim prej 60.000 shilinga ”), ia kthen shefit banesën ku paguante vetëm shpenzimet operative (drita e shkallës dhe kanalizime) dhe shkon me gruan dhe dy fëmijët e vegjël të asaj kohe në Vjenë, për t’iu përkushtuar plotësisht artit.
Gjatë studimeve u takua me mentorin e tij Hermann Nitsch
Velaj edhe këtë etapë të karrierës e trajton në mënyrë profesionale dhe, paralelisht me pikturën, studion menaxhim arti dhe kulture në universitetin e arteve të aplikuara në Vjenë. Përmes artit dhe ekspozitave të shumta, bie në kontakt me Hermann Nitsch:
“Ai ishte mentori im.”
Pas kësaj pason një karrierë e shpejtë dhe e suksesshme në fushën e pikturës abstrakte në vaj, me ekspozita në Vjenë, në shumë qytete italiane, por edhe në USA, Athinë, Bukuresht, dhe Birmingham. Velaj krijon emër jo vetëm si piktor, por edhe si fotograf dhe autor.
Ky rrjetëzues karizmatik mban gjithashtu kontakte të shpeshta me politikën: ai krijon vazhdimisht formate të reja ekspozitash dhe diskutimesh politike – si për shembull „Midis Danubit dhe Nilit“, „Good Morning Balkan“ apo „Arti e përmirëson kohën“. Këto iniciativa bëjnë që ai t’i ekspozojë pikturat e tij edhe në Kajro, si dhe në parlamentet e Vjenës, Brukselit dhe Strasburgut.
Në një moment edhe Shqipëria bëhet e vetëdijshme për “djalin e humbur”. Velaj miqësohet me kryetarin e atëhershëm të Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrin e tanishëm, Edi Rama, dhe bëhet këshilltari i tij. Nga viti 2017 deri në vitin 2021, Velaj është deputet në Parlamentin e Tiranës pa qenë anëtar partie. Në qershor të vitit 2024, ai akreditohet nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen si ambasador i Shqipërisë në Austri.
“Duhet të kesh një ëndërr dhe ta ndjekësh”
Por lind pyetja: a do të ishte e mundur një karrierë e tillë edhe në vitin 2026, 35 vjet pas mbërritjes së tij atëherë në rrethin e Scheibbs-it, dhe në kushtet e sotme me ligje dukshëm më të rrepta për migracionin? Apo thjesht ka pasur shumë fat? 62-vjeçari përgjigjet në mënyrë diplomatike: me gjasë nuk kanë qenë vetëm rastësi të lumtura ato që ia kanë mundësuar këtë rrugëtim.
“Duhet edhe të punosh shumë, të kesh një qëllim, një ide, një ëndërr dhe ta ndjekësh atë”, thotë ai, duke iu referuar një këshille të të atit përpara se të nisej për Austri:
“Përpiqu të mësosh nga kultura e njerëzve të vendit ku ndodhesh.”
Velaj zbulon gjithashtu një pjesë të filozofisë së tij të jetës, kur shprehet:
“Doja të bëhesha dikush që lë pas diçka për të tjerët.”
Në fund, megjithatë, del në pah edhe një kritikë e butë ndaj politikës aktuale rigoroze të migracionit, kur ai thekson se kishte ardhur “në një kohë kur Austria drejtohej ende nga evropianë të mëdhenj si Franz Vranitzky dhe Alois Mock”.

