Ervin Hoxha humb plazhin, Rama e nxjerr te prishë “kasollet”, oligarkët fërkojnë duart: Kush fiton nga “rregulli” i ri?

Ervin Hoxha meme

Kryeministri Edi Rama paska nisur një fushatë të re. Jo, jo, s’është për t’u ulur çmimet apo për të ndalur ikjen masive, se për ato ka kohë. Ky paska vendosur të prishë lokalet dhe baret që na kanë zënë trotuaret! Hajde, hajde, bravo Edi! Më në fund po shohim pak drejtësi… ose të paktën, kështu duket, sa për sy e faqe.

Se kur vjen puna te oligarkët, o vëlla, historia ndryshon komplet. Këtu s’ka prishje, këtu ka dhurata! Harrojini ato plakat me majdanos në trotuar – ato u zhdukën shpejt e shpejt, si me magji, se “pengonin zhvillimin” dhe “shëmtonin qytetin”. Po Çiljeta dhe patronazhistet e partisë? Ato morën kioska moderne në pronë publike për të shitur qofte. Po, po, qofte me bekimin e pushtetit! Hajde pije dhe ti një kafe në rrugë, po pate fat… ose patronazhist.

Ndërkohë që ti s’ke ku të pish një kafe lirshëm, apo s’ke ku të hash një byrek pa t’u afruar “inspektorati”, Shefqet Kastrati merr leje për një kullë te “7 xhuxhat” tek Rruga e Elbasanit. Ose Lul Morina, që ngre një kullë “gërdallë” pak metra nga deti, thua se s’kishte më tokë nëpër male. Parku i autobusëve? Lulishtja aty? Janë kthyer në tokë për kulla! Liqeni? Plot me kulla! Dhe mos harrojmë Samir Manen, që s’i mjaftojnë dyqanet e mëdha sa fusha e futbollit, po i duhen edhe tokat e koncensionet tona. Ushtria? Po ashtu, prona e ushtrisë shkon për… atë që thotë shefi. Epo, mirë, o trim, merr dhe stadiumin, po të duash, se prapë nuk kemi ku të shkelim!

Pra, mesazhi është i qartë: hap rrugën ti, qytetar i thjeshtë, se hapësira publike i duhet “zhvillimit” – zhvillimit të xhepave të oligarkëve. Shqipëria po bëhet vend i bukur, miq! Mjafton të jesh në listën e duhur… ose të kesh një emër që fillon me “Oligark”. Për ne të tjerët, mjafton të kemi një celular për të bërë meme, se për tjetër s’na ka mbetur gjë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...