Pazari i radhës Rama-Berisha, për të mbajtur sistemin gjallë

Pazari për Reformën Zgjedhore mes Berishës dhe Ramës, tregon edhe një herë talljen e madhe që kjo dyshe ka bërë dhe po vijon të bëjë në vazhdimësi me demokratët dhe me qytetarët shqiptarë.

Nëse Rama është më i qartë në synimet e tij, duke dashur përballë një opozitë të izoluar, “non grata” dhe në halle personale me drejtësinë, pretendimet e Berishës janë edhe më të pakta se kaq: atij i mjafton të njihet si lider i opozitës, pavarësisht se Rama me këtë marrëveshje merr automatikisht mandatin e katërt qeverisës.

Jo vetëm kaq, por mbyllja e listave dhe loja me Edi Ramën, nxjerr në pah synimin e vërtetë të Berishës, i cili përgjatë tre viteve hodhi në erë të gjithë PD-në, duke e shkatërruar katërcipërisht, me synimin për të larguar Bashën si të shitur te Rama dhe për të rikthyer demokracinë e brendshme në PD.

Jo vetëm që Basha nuk paska qenë problem i PD, por po shihet qartë se Berisha është shndërruar në një pazarexhi të rëndomtë, që është i gatshëm ta japë pushtetin në tavolinë vetëm që listat të mos hapen dhe të mos i dalë nga duart autoriteti i tij për të përcaktuar deputetët e ardhshëm.
Me këtë marrëveshje nuk është bërë gjë tjetër vetëm se është vërtetuar tallja me demokratët që kanë shpresuar te vota, te primaret apo më keq akoma që kanë shpresuar se nëpërmjet rikthimit të koalicioneve do të kishin mundësi ta rrëzonin Edi Ramën dhe PS-në.
Në kushtet ku ndodhet sot PD dhe opozita, pas betejës së gjatë vëllavrasëse, rezultati që mori Basha në 2021 do duket spektakolar dhe fitore e madhe përballë asaj që e pret PD-në e Berishës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Futja në zgjedhje me lista të mbyllura nuk sjell asgjë për PD dhe demokratët. Synimi është të garantohet një grusht i vogël besnikësh që të mbajnë kultin e individit të Berishës gjallë, ndërsa pjesa tjetër të vijojë përpjekjet për demokraci poshtë Ballkonit deri në zgjedhjet e vitit 2029./ Namir Lapardhaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...