Jo vetëm mandarinat. Kroacia ka ndaluar në kufi edhe një ngarkesë me speca të nisura nga Shqipëria, të klasifikuara si produkt me rrezik të lartë për konsumatorët.
Më datë 12 Mars, përmes sistemit të alarmeve të shpejta të BE-së (RASFF), në Kroaci është kapur një ngarkesë me speca nga Shqipëria, me përmbajtje shumë të lartë pesticidesh – të klasifikuara me rrezik të lartë për konsumatorin. Për RAFSS, njoftimi i dhënë në kufi është klasifikuar si shqetësim serioz.
Pas analizave të kryera nga pala kroate ka rezultuar se specat kanë patur prani të tepërt “flonicamidi”.
Flonicamidi është një insekticid që përdoret në fushë dhe në serra. Ka një tretshmëri të lartë në ujë dhe një paqëndrueshmëri të ulët. Ai përdoret kundër dëmtuesve hemipterous, si afidet dhe mizat e bardha, dhe dëmtuesit tizanopterë. Pesticidi ka një toksicitet të moderuar tek gjitarët (në këtë kategori futen njerëzit) dhe mund të jetë helmues për mëlçitë dhe veshkat.
Por edhe pse lajmërimi me “alarm të kuq” është dhënë nga Rapid Alert System for Food and Feed (RASFF), Autoriteti Kombëtari i Ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar./Kapitali