Pasi palosi rrudhat pas veshit me lekët e oligarkëve, Rishpikja e Elira Kokonës: Nga Sekretare në Strasburg te “Mbretëresha e Pasurive Publike”

elira kokona

Fillimisht pandehëm se ishte Arbana Osmani në fillimet e saj, por pas këqyrjes së disa fotove rezulton se është 53-vjeçarja Elira Kokona, drejtoreshë e Korporatës Shqiptare e Investimeve, një marifet i shpikur nga Edi Rama dhe klientët e tij për të privatizuar në mënyrë të pakthyeshme pasuritë e fundit publike, duke ndërtuar mbi to me para të dyshimta kulla, resorte, vila, hotele etj.

(Elira Kokona para se t’u jepte pasuritë publike oligarkëve)

Krahas kujdesjes për të zhdukur moshën në çdo biografi nga Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, Kryeministri dhe tashmë në Korporatën e Investimeve, muajt e fundit Elira Kokona është shfaqur me një pamje të re, një ndryshim drastik, ku vetëm një i vëmendshëm mund të pikasë se zonja Kokona zëvëndëse e Engjël Agaçit në Kryeministri është drejtore e Korporatës së plaçkitjes së pasurive publike.

(Elira Kokona pasi u dha pasuritë publike oligarkëve)

Në biografinë e saj në faqen e Korporatës së Investimeve, Kokona shkruan për veten e saj; “Me përvojë të gjerë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë pranë Këshillit të Evropës në Strasburg, Francë, znj. Kokona ka dhënë kontribute të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut“. Në fakt e vërteta është se ka qenë thjeshtë sekretare e konstitucionalistit të njohur Kristaq Traja, kur ishte gjyqtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më tej shkruhet në biografi se “si anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë, ajo ka shkëlqyer si avokate bashkëpunëtore në firma të njohura ligjore si në Tiranë ashtu edhe në Romë“.

Si avokate, Kokona mbahet mend si mbrojtëse ligjore e Mihal Deliorgjit të Gërdecit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Madje, kur ishte Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, Elira Kokona ka ‘festuar’ vendimin për dëmshpërblimin e Mihal Delijorgjit me 15.600 euro nga Gjykata e Straburgut, për burgim të padrejtë. “Delijorgji v Albania sapo doli vendimi nga GJEDNJ. E lumtur per kontributin ne nje aspekt kaq te rendesishem per sistemin gjyqesor shqiptar dhe respektimin e te drejtave te personave ne paraburgim.  —  feeling positive“, shkruante Kokona.

Në biografinë e saj, Elira Kokona ka hequr funksionin para se të emërohej drejtore e Korporatës së Investimeve, si zëvëndës sekretare e Përgjithshme e Kryeministrisë, pra mëkëmbëse e Engjëll Agaçit. Duket e çuditshme se Kokona e ka fshirë këtë fakt kur dijet se Agaçi ka qenë supertuesi i saj më i madh, ndërsa kanë bashkëpunuar në Romë si avokatë, ku kanë edhe pasuri të paluajtshme.

Elira Kokona ka mbajtur funksione të rëndësishme në qeverisje pas vitit 2013. Kokona ka qenë sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Këto detyra i ka ushtruar në konflikt interesi me disa funksione dhe veprimtari të tjera, pasi në të njëjtën kohë rezulton se ka ushtruar aktivitetin e saj privat si avokate deri në vitin 2014. Madje zonja Kokona rezulton se ka mbrojtur në arbitrazh interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë deri në vitin 2015.

Në çështjen, “MAMIDOIL JETOIL GREEK PETROLEUM PRODUCTS SOCIETE S.A. kundër Shqipërisë”, Elira Kokona ka qenë përfaqësuese e kompanisë greke si avokate private. Padia është hapur në korrik të 2011, ndërsa vendimi është dhënë në 30 mars 2015. Në mes të kësaj periudhe Elira Kokona u emërua në detyrën e sekretares së përgjithshme të Ministrisë se Kulturës.

Në vitet 2015-2016, në llogarinë e saj kanë kaluar rreth 450 mijë euro si pjesë e trashëgimisë nga zbatimi i dy vendimeve të Strasburgut.

Ka dyshime të forta se Elira Kokona ka përdorur funksionet si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas si Zv Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, për të mbledhur dokumente në funksion të çështjeve të saj kundër Shqipërisë.

Bëma e fundit, i jep shokut të Ramës pallatin Asllan Rusi për hotel privat

Në gusht 2025, Elira Kokona hapi procedurat për “rijetëzimin” e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, në kuadër të plaçkitjes së kësaj pasurie, për t’a kthyer në hotel privat për klientin e radhës së pushtetit. Dy muaj më vonë, u shpall fitues një projekt i studios holandeze MVRDV, e njëjta që ka projektuar kullën me fytyrën e Ramës në qendër të Tiranës.

Në letra, thuhet se do të ndërtohet një hotel në formë topi basketbolli, por në fakt pas studios qëndron biznesmeni Ilir Trebicka, ish-shok i Edi Ramës nga koha e basketbollit.

Trebicka, përmes kompanisë Trema Tech sh.p.k., ka kontraktuar studion e huaj për të legjitimuar projektin, që në realitet është një biznes privat mbi truallin publik të Pallatit të Sportit. Elira Kokona ka firmosur dokumentet, ndërsa Rama do ta prezantojë si “vlerë arkitekturore”.

Ky është një akt i pastër tjetërsimi prone publike dhe abuzimi me fondet e shtetit, një dosje që SPAK duhet ta kishte hapur dje, nëse nuk do të ishte kthyer në një spektator të plaçkitjeve qeveritare.

Plaçkitja e pasurive publike

Krahas ligjit klientelist për investimet strategjike, qeveria ka shpikur një tjetër nismë për të piketuar dhe kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur. Pra, bëhet fjalë për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në krye të korporatës Edi Rama ka vendosur zonjën Elira Kokona, e gatshme për çdo operacion korruptiv me paratë dhe pasuritë publike.

Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që mori në analizë punën e saj nga krijimi deri në vitin 2024, konstatoi konflikte juridike në funksionimin e kësaj strukture dhe mungesë mekanizmash të qartë për monitorimin e efektivitetit të procedurave dhe të ekzekutimit të projekteve. Sipas KLSH-së, këto “paraqesin një risk të lartë operacional dhe institucional për menaxhimin e pronave shtetërore, si dhe nuk garantojnë sigurinë e tyre.”

“Për më tepër, proceset e përcaktuara në këto akte ligjore nuk janë në përputhje me legjislacionin shqiptar mbi Prokurimet Publike, por mbështeten ekskluzivisht në kompetencat dhe procedurat e brendshme të AIC-së,” vëren më tej KLSH, duke evidentuar se Korporata nuk ka një metodologji standarde për seleksionimin e projekt-ideve, nuk ka studime fizibiliteti dhe ndryshon strategjitë e planet e punës nga viti në vit.

Disa nga pasuritë publike që po u falen olirgarkëve kulla dhe hotele janë;

Pallati i Kongreseve

Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”

Kalaja e Petrelës

Agjencia e Kthimit të Kompesimit të Pronave

Kalaja e Ali Pashës në Butrint

ATSH-ja mbi Gjykatën e Apelit

Stadiumi “Selman Stërmasi” 

Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës,

Stadiumi “Selman Stermasi”, Tiranë

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë 

Vilat qeveritare në Vlorë

Vilat qeveritare në Velipojë

Shkolla e Marinës në Vlorë

Shtëpia e Fëmijës në Vlorë

Muzeu Historik Kombëtar (i piketuar)

Bibloteka Kombëtare (e piketuar)

Kalaja e Prezës (piketuar)

Ishulli i Sazanit

Syri i Kaltër

Pylli i Sodës etj.

Shuplaka amerikane

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar ashpër ligjin kontrovers të Investimeve Strategjike. Në raportin për klimën e Investimeve 2025, DASH thotë se nga ligji kanë përfituar vetëm bizneset me lidhje të forta me qeverinë. “Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin midis investitorëve të huaj se ligji ka përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse,” thuhet në raport.

DASH: Ligji i Investimeve Strategjike u bë për klientët e

Qeveria e ka zgjatur disa herë afatin e ligjit për Investimet Strategjike, ku më i fundit ishte ai i zgjatjes deri në dhjetor të vitit 2026. Por investitorët e huaj nuk lejohen të përfitojnë nga ligji dhe barriera e parë është pikërisht Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ose AIDA siç njihet ndryshe.

Përtej kësaj, qeveria amerikane shikon edhe një tjetër problem tek ligji kontrovers.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private për zhvillimin e projekteve private që konsiderohen projekte të veçanta strategjike. Pavarësisht dispozitës që qeveria do të veprojë kur palët nuk arrijnë një marrëveshje, klauzola është një burim polemikash sepse i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private në interes të një pale tjetër private“, përfundon raporti./prapaskena

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...