Për fat të keq nuk mund të thuhet se ajo çfarë ndodhi sot ne periferinë e Tiranës është një rast i paprecedentë. Një skenë të ngjashme e kemi parë, dikur, diku, me një tjetër televizion, me një tjetër pronar, jo shqiptar, dhe që i kushtoi xhepit të shqiptarëve 110 milion euro. Plot dhjetë vjet më parë e njëjta skenë ndodhi me Agon Channel e Francesko Becchetin. Televizioni u sulmua, u shkatërrua, u mbyll dhe thirrjet e punonjësve të tij, as i dëgjoi, as i shfaqi kush.
Skenari u përsërit.
Mëngjesin e 9 gushtit janë sulmuar 3 media: News 24, Balkanweb e Panorama Tv. Njësoj si të ishte skenë e ngjarë në Korenë e Veriut, forcat e policisë dhe më pas ushtria, hyri dhe vuri përpara çfarë gjeti.
Irfan Hysenbelliu u shkatërrua për të dytën herë. 3 vjet më parë, Edi Rama, duke përdorur një alibi që nuk ia besoi askush, i shkatërroi biznesin e ngritur me bekimin e tij. Sot ai i shkatërroi mediat.
Betimin e dhënë, tre vjet më parë, në një bisedë telefonike me ish-mikun, pronar mediash, “do të të shkrij”, Kryeministri i shqiptarëve e përmbushi sot.
Më kot piskatën gazetarët, punonjës. Që ndonëse kishin kohë që edhe pagat i mernin me vonesë, dhuna u dhembi në palcë. Më kot u solidarizuan dhjetra të tjerë. Rrethi i policëve nuk luajti vendin. Aq arrogant është bërë ky shtet, sa Policia shqiptare nuk denjoi të jepte as një sqarim për publikun. Mëngjesi i 9 gushtit ishte kaotik, askush nuk kuptonte se çfarë po ndodhte dhe pse!
Asnjë sqarim nuk u dha as më vonë dhe as kurrë.
Vetëm në orët e drekës, nga deklaratat e avokatëve u mor vesh se behej fjalë për një konflikt, pa konflikt. U mor vesh se ndonëse Irfani, me letra mund ta mbante edhe disa vite godinën, një vendim i Qeverisë kishte vendosur të ndërtonte aty një fabrikë armësh.
Kjo mbetet ende për tu sqaruar ndërsa skandali i vërtetë, fshihet tjetër vend.
Skandali i vërtetë ka në thelb diabolizmim e një njeriu që ka marrë peng një vend të tërë. Edhe pse ende nuk dihet ku i ka rrënjët kjo ngjarje që ktheu në armiq të betuar dy miq, e vërteta është se Edi Rama ka shkuar shumë larg. Ai shkatërroi një biznesmen dhe mbylli 3 media. Askush nuk mund të betohet se kjo lloj dhune ishte zgjidhja e vetme. Përkundrazi.
Por ne jetojmë në Shqipëri ku autokracia po kthehet në diktaturë, dhe Edi Rama është njeriu që i njeh në mënyrë të shkëlqyer mekanizmat e saj.
Edi Rama nuk godet kurrë, as kot e as rastësisht. Ai mund ta kishte ndërtuar një fabrike armesh në periferi, larg qendrave të banuara dhe syve kureshtarë, siç duhej të ndodhte. Por jo! Ai donte Irfanin dhe nëpërmjet Irfanit të vriste dy zogj: të zhdukte njeriun që i doli nga rreshti dhe tu jepte një mesazh të tjerëve. Kush nuk bindet do të ketë fatin e Fanes.
Pse ka një media në mes, kjo nuk ka asnje lloj rëndësie. Për diktatorin e ri të Ballkanit, qëllimi justifikon mjetin, dhe qëllimi i tij është të nënshtrojë gjithëkënd dhe gjithçka. Kur nuk mjafton policia, hyn ushtria.
Top Channel, Klan, e çfarë vjen pas tyre duhet ta kuptojnë se mesazhi është për ta: nëse nuk i shërbejnë bamirësit që u jep prona shtetërore, leje ndërtimi e patenta investitorësh strategjikë, fundi dihet.
Prandaj sot nuk bëzani asnjëri prej tyre. Përveç një televizioni opozitar, askush nuk mori mundimin as të raportonte.
Për Irfanin ishte vendim, por për të tjerët ishte paralajmërim./Pamfleti