Sot, në një paradë hipokrizie, Këshilli Drejtues, Drejtoresha e RTSH-së, dhe Komisioni Parlamentar i Medias u mblodhën në një “konferencë” për të diskutuar gjendjen e Radio Televizionit Shqiptar. Dhe çfarë mësuam? Zbulimin “tronditës” se RTSH ka 6 milionë euro borxhe! Kush e di, ndoshta ata prisnin të fitonin ndonjë çmim Nobel për këtë zbulim epokal.
Nënkryetari i Këshillit Drejtues, me një seriozitet prej aktori, na informoi për humbjen e këtyre milionave. Por ndërsa milionat hutuan të pranishmit mungonte diçka thelbësore: përgjegjësia. Zero hetime. Zero të dënuar. Asnjë përmendje për Alfred Pezën, apo për “vetë dorëheqjen e komanduar” të tij nga institucioni. Zero vëmendje ndaj “shpërdorimeve” të pretenduara të Aurora Polos dhe Enkel Jotit, emra që po aq mirë mund të ishin personazhe nga ndonjë telenovele me Ali Babën
A u kujtua vallë dikush në këtë konferencë për njerëzit e larguar padrejtësisht, apo milionat e zhdukura në buxhet janë më të rëndësishme se dinjiteti i individëve? Natyrisht, milionat mund të “përdoren” nga administrata e radhës, ndërsa njerëz ka plot, dinjiteti, mesa duket, nuk ka asnjë vlerë.
Me sa duket, kjo “reformë” e RTSH-së është më shumë një emision post Big Brother sesa një përpjekje reale për drejtësi.
Ne nuk duam konferenca ku na tregojnë si vidhet. Ne e dimë. E kemi parë. E kemi jetuar. Ajo që duam është veprim konkret ligjor. Duam që hajdutët dhe përndjekësit e RTSH-së ndër vite të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
Nëse pas kësaj konference pompoze nuk shohim asnjë denoncim real, asnjë arrestim, asnjë kthim parash, atëherë ju, drejtues të nderuar, anëtarë të Komisionit Parlamentar, bëheni thjesht bashkëpunëtorë në fshehjen e krimit. Dhe atëherë, pyetja e vetme do të jetë: kujt i shërbeni vërtet? Publikut, apo xhepave që krijuan borxhet miliona euroshe?