Fatmir Bektashi: Të vjedhësh është më shumë seç duket. Taksa patriotike sjell bereqet edhe në Spak

Drejtësia e pafuqishme përballë biznesmenit kontrovers, Bektashi vijon merr leje ndërtimi…

Shqipëria vijon të mbetet vendi i çudirave. Ata që akuzohen për korrupsion dhe që janë në qeli kandidojnë për deputetë. Ndërkohë ata që dyshohet se kanë korruptuar pushtetarët, vijojnë normalisht aktivitetin duke mos u hyrë gjemb në këmbë.

Një prej tyre është Fatmir Bektashi, biznesmeni kontrovers që ka ditur të luajë të gjithë gurët. Sa ishte Berisha në pushtet, e ka mbajtur mirë me të, duke ndarë aksionet e kompanive me Jamarbër Malltezin. Falë kësaj aleance, Fatmir Bektashi ndërtoi me dhjetëra pallate te toka e ish-kompleksit “Partizani”.

Por pasi iku Berisha dhe erdhi Rama, Bektashi duket se u forcua dhe më shumë. Në vitet e fundit ai dhe kompania e tij “Kontakt”, kanë marrë pa fund leje ndërtimi, duke betonizuar jo vetëm Tiranën, por dhe Pogradecin, Dajtin apo Farkën.
Momentalisht Fatmir Bektashi është me dy dosje në SPAK. Ai akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash te rasti i kompleksit “Partizani”, si dhe te dosja e Erion Veliajt.
Te rasti i parë, dosja është mbyllur dhe ka shkuar për gjykim, ku pritet vendimi i gjykatës. Te rasti i dytë hetimet vijojnë. Po ashtu te rasti i kompleksit “Partizani”, është vënë nën akuzë dhe vetë kompania “Kontakt”, ku akuzohet për pastrim parash.
Por edhe pse dosjet janë mal në SPAK, Bektashi ka hapur disa kantiere ndërtimi dhe vijon punën me shpejtësi.


Te Kompleksi Mangalem 21 në “Ali Dem”, prej shumë muajsh po punohet intesivisht dhe janë ngritur 7-8 pallate dhe puna vijon. Më herët, mbaroi puna edhe te rezidenca “Kaimi”, pak më sipër.

Në Farkë po ashtu vijon puna. Aty janë ndërtur mbi 50 vila në atë që quhet kompleksi “Aba”.

Po ashtu Bektashi ka shtrirë tentakulat dhe në Dajt, ku ka ndërtuar rezidencën “Oxa”, ku edhe aty janë planifikuar 8-9 godina.

Ndërkohë që masakra do të jetë në Pogradec. Bektashi ka marrë leje ndërtimi për të ngritur pallate te zona mes Drilonit dhe Tushemishtit. Puna nuk ka nisur, por “Kontakt” ka nisur shitje në ajër të apartamenteve.

Nga gjithë kjo ngrihet pyetja: Si ka mundësi që një njeri me dy dosje shumë voluminoze në SPAK, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, merr kaq shumë leje ndërtimi? Vetëm në Tiranë, Bektashi ka ndërtuar në 10 zona. Por nuk duhet të çuditemi, jetojmë në Shqipëri. /Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...