Kush është Helidon Haliti, një nga dy kandidatët për Kryetar të Këshillit Drejtues të RTSH? Helidon Haliti Njeriu që Ka Marrë Paga sa 20 Punonjës së Bashku në RTSH
Helidon Haliti është një nga dy kandidatët për Kryetar të Këshillit Drejtues të RTSH, por përveç kësaj, ai është konsideruar si njeriu i besuar dhe përfituesi kryesor i projekteve të Alfred Pezës në këtë institucion. Haliti ka përfituar fonde të shumta për projekte në RTSH, ku ndër më të njohurit është emisioni “Mes Dy Boteve”. Vetëm nga janari deri në qershor, ai ka marrë mbi 20 milionë lekë për këtë emision, pavarësisht se shikueshmëria e tij është pothuajse zero.
Por përfitimet e Halitit nuk ndalen këtu. Ai ka qenë gjithashtu një nga përfituesit kryesorë dhe propozuesit e projektit për pikturat murale në Tiranë, një nismë e Bashkisë së Tiranës. Në këtë projekt ka qenë i përfshirë edhe nipi i Alfred Pezës, Denis Dedej, i cili ka ndarë përfitimet me Halitin. Pikërisht Haliti ishte ai që propozoi realizimin e një pikture murale në RTSH me një piktor argjentinas, por pas largimit të Alfred Pezës nga detyra, pagesa e këtij artisti nuk u krye kurrë. Në vend të kësaj, fondet dyshohet se janë përvetësuar nga Haliti dhe Peza.
Brenda RTSH, Haliti njihet si “bisha e Alfred Pezës”, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me ish-drejtuesin e institucionit. Kujtojmë rastin e garës për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, kur Alfred Pezës i duhej një kandidat shtesë për të plotësuar numrin e garuesve. Në atë moment, Haliti u fut në garë vetëm për t’u tërhequr më pas, duke i hapur rrugën Pezës.
Gjatë viteve të fundit, Haliti ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të RTSH-së, duke menaxhuar projekte me shuma të mëdha financiare, shpesh duke përfshirë edhe familjarët e tij. Në këtë skemë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e Denis Dedej figuronin si pjesë e projekteve vetëm formalisht, ndërsa përfitimet reale shkonin tek Denis Dedej dhe Haliti.
Në këtë situatë, parlamenti dhe Komisioni i Medias duhet të marrin masa për të hetuar abuzimet dhe shkeljet që kanë ndodhur në RTSH. Për më tepër, ka dyshime se Alfred Peza po përpiqet të rikthejë ndikimin e tij në institucion përmes kandidaturës së Elidon Halitit, duke ringjallur kështu skemat e tij abuzive në menaxhimin e fondeve publike.
Ky nivel përfitimi ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike brenda RTSH dhe mbi ndikimin e figurave si Haliti, të cilët kanë krijuar një rrjet interesash dhe përfitimesh personale në kurriz të buxhetit të institucjonit te RTSH-se