Abuzimi i drejtorëve të Radio Televizionit Shqiptar me fondet e Festivalit është bërë shumë e zakonshme. Edhe Aurora Polo, drejtoresha e komanduar e RTSH njëlloj si paraardhësi Alfred Peza nuk i shpëtoi dot tundimit për të futur duart në buxhetin e Festivalit.

Në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues të vitit 2014, i cili ndalon drejtorët e zgjedhur nga ky organ të përfitojnë fonde apo projekte në RTSH, Aurora Polo ka shpërblyer veten me 3 milionë lekë të vjetra si drejtoreshë e Festivalit dhe me nga 1 milionë lekë ekonomistin dhe juristin e Festivalit.

Jo vetëm që ka përfituar në mënyrë të paligjshme, por ajo vazhdon edhe më tej me paligjshmërinë e saj, duke refuzuar të japë llogari tek Këshilli Drejtues për mënyrën se si ka përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ndonëse e ka detyrim të japë llogari, Aurora Polo ka injoruar dy kërkesa të kryetarit të Këshillit Drejtues për sqaruar se kush janë drejtori, juristi dhe ekonomisti i Festivalit, të cilët janë shpërblyer me 5 milionë lekë në total.
Aurora Polo ka firmosur dy kontrata të dyshimta me vlerë 110 mijë euro, për blerje filmash, me Zamir Sukniqin. Kontratat janë nënshkruar me kompaninë Albatrade shpk, me administrator dhe pronar Zamir Sukniqin. Kompania është themeluar në shtator 2024 dhe ka nisur të marrë para nga RTSH dy muaj më pas.
Kontrata e parë është kopsitur me shpejtësi në dhjetor 2024. Kontrata e dytë, me numër protokolli 257/8, mban datën 24 janar 2025, tri ditë para se të bëhej përzgjedhja e kandidaturave për drejtor i përgjithshëm i RTSH-së nga Këshilli i Korrupsionit të RTSH.
Kontrata e parë, me filma artistikë ku ka edhe filma të prodhuar më vitet 1990 dhe 1998 (të konsumuar), ka shumën 50 milionë
lekë. Kontrata e dytë me dokumentarë, parashikohet në vlerën 60 milionë
lekë (kjo e nënshkruar më datë 24 janar, pra tani që po zhvillohet gara për drejtor).
SPAK duhet të hetojë lëvizjen e parave pas kalimit te shoqëria tregtare Albatrade si kontaktet mes pronarit të kësaj kompanie dhe Aurora Polos.
Jo vetem për vjedhjen flagrante por nuk jep shpjegim as për emërimet e kundraligjshme pa garë
Bashkëpuntoren më të afërt të Pezës, drejtoreshën e Burimeve Njerëzore Anila Agalliu e shkarkoi nga detyra dhe e emeroi në një post më të rëndësishëm, në atë të drejtoreshës së Qendrave Vendore Radiotelivizive të Shqipërisë. Detyrën e re Agalliu e ushtron kryesisht me korrespodencë. Shamikuqja mbahet mend për përndjekjen që u bënte stafit për të kënaqur psiqikën e sëmurë të kapterrit.
Në vend të Anila Agalliut emëroi Florida Tare, zevendësen e Agalliut, e cila duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër se një emërim pa garë është në kundërshtim me ligjin, por mesa duket kjo pjesë duket se nuk i intereson shumë. Florida Tare mbahet mend që dilte me bllok në dorë për të marrë mungesat e atyre që piketonte kapterri për të larguar.
Ish shefen e kabinetit të Pezës Prishila Tafaj e shkarkoi nga detyra dhe e emëroi në kundërshtim me ligjin (pa garë) drejtoreshë të Departamentit të Promocionit dhe Shitjeve, prej të cilës përfiton edhe pagë më të lartë. Prishilën e zëvendësoi Elton Metaj, dhëndri i anëtarit të Këshillit Drejtues Edmond Tullumanit, i cili tashmë ushtron detyrën e shefit të kabinetit të Aurorës.
Valbona Lilo, një nga ish financieret e sektorit të Buxhetit, e cila sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka sjellë RTSH-së një dëm financiar mbi dymbedhjetë mijë euro dhe sipas raportit të këtij institucioni duhet të merrte masën e paralajmërmit për pushim nga puna me ndihmën e Aurorës i ngjiti shpejt shkallët e karrierës. Në kundërshtim me ligjin (pa garë), Aurora Polo e emëroi Valbona Lilon drejtoreshë të Departamentit më të rëndësishëm, në atë të Ekonomisë dhe Financave.
Aurora Polo ka emëruar edhe tre shoqe të saj në pozicione të rëndësishme. Sommeljeren Entela Cenkon e ka emëruar specialiste të marketigut në RTSH, pozicion të cilin e përdor për të promovuar biznesin e saj të verërave.
Rudina Kollarin e ka emëruar në krye të Akademisë së RTSH, ndërsa shoqen e tretë e ka caktuar në krye të prokurimeve të RTSH për të vjedhur me lezet bashkë
Aurora Polo ka emëruar edh tre shoqet e vajzës së saj në RTSH, ku njera prej tyre Klaudja Murati prezanton motin.
“Pronarja e RTSH” nuk jep shpjegime as për qokat që u ka dhënë këshillit
Dionis Papadhimitri ka futur duart në buxhetin e RTSH. Sipas një raporti të KLSH, Papadhimitri ka përfituar 30 milionë lekë nga RTSH në mënyrë të kundraligjshme. Papadhimitri, i cili mbështet Polon, duhet t’i kthejë paratë në arkën e RTSH.
Përmes një shkresë të firmosur nga ish-drejtori Alfred Peza, Gëzim Podgorica së bashku me Ilir Kekon, një tjetër anëtar i Këshillit Drejtues, shprehin interesin për realizimin e një dokumentari për babain e këtij të fundit, Endri Keko. Po sipas këtij dokumenti Drejtori i Përgjithshëm ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e dokumentarit.
Qokat ndaj këtyre dy anëtarëve të Këshillit nuk mbarojnë këtu. Podgorica dhe Keko kanë qenë dy herë pjesë e delegacioneve të Festivalit Europian të Këngës. Duke mos patur asnjë lidhje me muzikën ata “shëtisin” me paratë e taksapaguesve dhe zënë vendin emrave me kontribut ndër vite në Festivalet e RTSH, si Irma Libohova, Luan Zhegu, Elton Deda, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë.
Anëtarët e Këshillit nuk kanë asnjë lidhje me muzikën, por kanë secili nga një votë dhe duhet të ngrenë dorën sa herë ti duhet Drejtorit, ndaj për këtë i meritojnë disa “dhurata” të vogla.
Emisioni “BrezBallje”, i cili ka një audiencë pothuajse zero, është marrë si projekt nga Ilir Keko. Për të shmangur konfliktin e interesit, ai ka bashkëpunuar me dy punonjës, Lori Pepa dhe Ervin Lera, të cilët kanë qenë pjesë e stafit të ngushtë të Alfred Pezës. Nëpërmjet tyre, Ilir Keko përfiton çdo muaj shuma të konsiderueshme parash.
Ilir Keko po hetohet edhe për pronat e AlbaFilm, të cilat i ka tjetërsuar së bashku me Aurora Polon, për të ndërtuar kulla një oligark mediatik në Kinostudio.
Gëzim Podgorica, nga ana e tjetër, është koordinator i Agjencisë Mediatike kineze SEHORA në Tiranë. Paguhet nga qeveria kineze me një pagë 7 mijë euro në muaj, ka përlarë 3 mln euro për tre vjet nga qeveria Kineze
Edmond Tullumani është gjithashtu në konflikt interesi. Dhëndri i tij Elton Metaj është emëruar nga Aurora Polo shef kabineti i drejtorit të RTSH. Vajza e Tullumanit, Romana Tullumani, u caktua nga Polo pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH.
Një tjetër rast i rëndë lidhet me Edmond Tullumanin, i cili ndodhet në një konflikt të hapur interesi. Bashkë me dhëndrin e tij, shefin e kabinetit në RTSH, ai organizoi një skemë mashtruese përmes një mbrëmjeje gala të titulluar “3 Tenorët”, e cila ka marrë vetëm 105 shikime në YouTube, por ka përfituar miliona lekë. Këto para u kanalizuan përmes një shoqate anonime, por në realitet përfunduan në xhepat e Edmond Tullumanit dhe Elton Metës.
Milena Selimi ka gjithashtu interesa familjare. Vajza e saj Alesia Burnazi ka marrë projekt në radio nga Aurora Polo. Pra, nënë e bijë marrin para publike në të njëjtin institucion.
Ëngjëll Ndocaj përdor infrastrukturën e RTSH për të bërë emisione si dhe merr para për transmetimin në RTSH të emisioneve të tij mediokre. Një emision në RTSH është bërë edhe për babanë e tij Filip Ndocajn.
Albert Minga është gjithashtu i zhytur në batakun e interesave të RTSH. Vajza e tij Aulona Minga ka marrë projekt në RTSH. Babë e bijë, në konflikt flagrant interesi, marrin para publike.