Ilir Meta: Dua që vila të ketë hamam e sauna. Monika: Marrim shtëpi te Ambasador 3, po të çoj Fatimen (detaje nga dosja e korrupsionit)
Disa detaje në dosjen e SPAK-ut tregojnë përmasat e frikshme të korrupsionit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët kanë përdorur pushtetin për t’u pasuruar, duke plaçkitur pasuritë publike.
Biznesmeni S. M., porosit Monika Kryemadhin për të ndryshuar ligjin për minierat. Monika mundëson ndryshimet ligjore përmes Përparim Spahiut, por edhe me votat e Edi Ramës, i cili i linte dorën e lirë Ilir Metës për të vjedhur në këmbim të votave të LSI, të cilat e mbanin në pushtet 2013-2017.
Në këmbim të ndryshimit të ligjit dhe mbështetjes së kompanisë Plus të biznesmenit, përmes pupacit të tyre në krye të AKEP Piro Xhixho, Meta dhe Monika do të merrnin pasuri nga biznesmeni.
Monika Kryemadhi ia kishte vënë syrin katit të fundit të pallatit Ambasador 3. Monika viziton ambientet dhe bën gati planin për të përshtatur një shtëpi me vlerë miliona euro.
Por, tërhiqet pasi te Ambasador 3 ka shumë lëvizje dhe Metës nuk i përlqen për të rënë shumë në sy.
Më pas, Meta dhe Kryemadhi i hedhin sytë në Rolling Hills, për të marrë një vilë. Monika e informon për vilën. Meta ka vetëm një kusht: Kërkon që vila të ketë hamam dhe sauna.
Të dyja pasuritë, si Ambasador 3, ashtu edhe vilat në Rolling Hills janë të biznesmenit S. M.
Plani për vilën anulohet për shkak të dekonspirimit. Një ditë, ambasadori grek i thotë Ilir Metës se do të ishin komshinj në Rolling Hills, duke nënkuptuar se ishte informuar se Meta dhe Monika kishin nisur punimet te vila.
Pjesë nga dosja e SPAK-ut
Në deklarimet e tij shtetasi Emon Sila, i cili deklaroi se në vitin 2014 punonte pranë kompanisë Mane TCI si drejtor i shitjeve të pasurive të paluajtshme, deklaron ndër të tjera se, një nga kolegët e kishte njoftuar se Monika Kryemadhi do të shkonte në pallatin Ambasador 3, i cili ishte në ndërtim, për të parë apartamentet që nuk ishin shitur. Pasi pa apartamentet, Monika i kërkoi planimetritë e tyre dhe Emoni i dërgoi me email planimetrinë e katit 17 banim. Emoni deklaroi se Monika nuk i paraqiti ndonjë kërkesë konkrete për ndonjë apartament dhe ai ishte i vetmi takim që ai bëri me këtë person. Lidhur me sa më sipër Monika i ka dërguar sms edhe vajzës Era, duke i thënë se do t’i tregonte një sekret të bukur që kishte lidhje me të gjithe familjen.
Në datën 03 Qershor 2014, Monika i shkruan sms Ilir Metës në numrin +355672040144, ku i thotë:- E. M. thote jo tek pallati. Ka shume njerez dhe do ta bezdisin Ilirin. Po shof nje gje provizore tek ata.
Iliri i është përgjigjur:- Ok. Duhet dhe hamam e sauna.
Në datën 03 Qershor 2014, Monika Kryemadhi i shkruan E. M. në telefonin me nr. +355662057273 se burri i saj do të shkojë të pijë një kafe nesër në mëngjes se e ndau mendjen dhe në datën 04 Qershor 2014, konfirmohet se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë shkuar dhe janë takuar me S. M. dhe E. M. Monika e njofton Evën se sa kanë kaluar shkollën e policisë dhe Eva i përgjigjet se kafja është gati.
Në vijim të bisedave të zhvilluara në datën 04 Qershor 2014, S. M. i shkruan Monikës në llogarinë 447768432044@s.whatsapp.net, sms me përmbajtjen “Njëri zabina dhe oktapodas, tjetri rudolf xhillari jeton ne Selanik dhe ka nje kompani logistike prej 18 vjetesh. Ajo idea ime dhe me ate tjetren poshte po me pelqen shume, ta them kur te takohemi”. Monika i është përgjigjur se është ok dhe se do të çonte Fatimen.
Në datën 05 Qershor 2014, S. M. e pyet Monika Kryemadhin nëse po merret me punët pasi ai vetë ka filluar dhe Monika i përgjigjet se është në krye të detyrës. Në datën 06 Qershor 2014 S. e pyet Monikën, nëse do të vijë arkitekti dhe kush do të merret me të, me qëllim që ai me Evën te mos bëjnë plane për të lëvizur. Monika i përgjigjet: “Ne po ikim ne Skrapar se kemi Arvizun. Italiani vjen neser. Ema dhe te dielen jom une por Iliri e ka me merak qe te mos duket shume.”. S. i shkruan Ok Ema. Dhe i themi te lidhet me arkitektin tone qe te kordinojne ecurine se u duhen te dhoma nga ne. Po e lidh me Emën.
Në bisedën që është zhvilluar në datën 6 Qershor 2014 midis Ema Çokut dhe Monika Kryemadhit del se Monika e ka porositur Emën që kjo e fundit të përhapë fjalën se ata do ta marrin me qira. Konkretisht Monika i ka shkruajtur “Une nuk duhet te vi atje dhe te gjitha gjerat ti beje Zamiri se ne do ta marrim me qera. Thuaja te gjitheve”. Ema i përgjigjet- Po. E kuptova.
SPAK pretendon se Meta dhe Kryemadhi, në këmbim të ndikimit të tyre të paligjshëm në institucionet publike për favorizimin e biznesmenit S. M., pranuan premtimin për të përfituar një vilë në Rolling Hills, identifikuar si vila nr. 103. Kjo vilë dhe punimet e kryera në të gjatë vitit 2014 nuk u deklaruan nga Kryemadhi si pasuri, çka sugjeron sipas SPAK se kjo pasuri do të përfitohej si rezultat i veprimtarive korruptive të Kryemadhit dhe Metës.
SPAK thekson se veprimtaria e paligjshme e Kryemadhit dhe Metës përfshin miratimin e amendimeve në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë,” ndërhyrjen në favor të S. M. në Zyrën e Përmbarimit dhe te kryetari i AKEP, Piro Xhixho, për të favorizuar kompaninë Plus Communications.
Meta dhe Kryemadhi hoqën dorë nga vila në Rolling Hills pasi mësuan se persona të tjerë, përfshirë ish-Ambasadori Grek në Tiranë, e kishin marrë vesh marrëveshjen. Vila më pas iu shit një blerësi tjetër.
“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve,” sipas nenit 260 të Kodit Penal. “Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit“.