Heronjtë e Kombit, Skendërbeu dhe Nënë Tereza

Inagurimi i shtatores së Skënderbeut te Hora e Arbëreshëve në prani të kryetares së Kuvendit, Spiropali ka hapur një debat absurd.

Njerëz të zanatit (skulptor, një shkallë më lartë se piktor) thonë se portreti i Heroit Kombëtar shqiptar, Atletit të Krishtit, ideatorit të parë të aleancës eutoatlantike, ngjan më shumë me Edi Ramën, kryeministrin aktual se me Skënderbeun. Nuk është faji i Edi Ramës që i ngjan Skënderbut sikundër nuk është faji i tij që i ngjan edhe një figurë tjetër të madhe historike, të Shqipërisë, Ismail Beut.

Duket se sa më gjatë qëndron në pushtet, Edi Rama (tani ka hyrë në vitin e 12 si kryeministër dhe në vitin e 25 që kur u bë për herë të parë minister, me gjatë se Brezhnjevi) aq më shumë mishëron në portretin e tij Skënderbeun dhe Ismail Qemali, duke shkrirë kështu të kaluarën dhe të tashmen në një figurë të vetme madhore për shqiptarët.

Transformimi filloi në mënyrë të heshtur, me lënien e mjekrës. Kur Edi Rama e ndau mendjen për këtë përshpërimat po shtoheshin më shumë se eurot që hidhen në ndërtim në Tiranë. “Shefi po fillon të duket si Ismail Qemali,”.

Për ata që nuk e dinë, Ismail Beu shpalli pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ngjashmëria u bë aq e dukshme sa çdokush ngriti vetullat dhe hapi gojën. Po me Ismail beun nuk është vetëm ngjashmëria pamore. Rama, i cili rastësisht është gjithashtu deputet nga Vlora, filloi të mbajë peshën që i përshtatet shtatit dhe kalibrit të tij, peshën e një njeriu që, në një jetë tjetër, mund të kishte qenë në krye të shqiptareve si gjatë përballjes me osmanët në shekullin e 15 ashtu edhe me lindjen e vështirë të shtetit shqiptar në fillim të shekullit 20.

Fat i madh për vendin që sot ka në krye të punëve një njeri që mëshiron shpirtin luftarak të Skënderbeut dhe urtësinë e diplomacinë e Ismail Qemalit. Eshtë si të kesh zbuluar “kodin e da Vincit shqiptar”, një kombinim perfekt i pallës së Skënderbeut me fuqinë e penës, dhe të gjitha këto sot i kemi falë vendimit për të lënë mjekër dhe gdhendjes së një shtatoreje.

Dikush e quan rastësi. Një tjetër e ndjen se është fati. Por këtu, kufijtë mes historisë dhe realitetit përzihen më lehtë dhe më shpejt se uji që hidhet për të “larë” qumështin.

Nëse Skënderbeu shpëtoi Europën nga Perandoria Osmane dhe Ismail Qemali shpëtoi Shqipërinë nga harresa, është fat që Edi Rama tani të gjendet në vijën e parë, duke shpëtuar Bashkimin Europian nga apatia dhe përgjumja.

Kritikët, që shohin vetëm zi, në vend që të gëzohen anatemojnë. Lideri i opozitës e ka quajtur shtatoren në Itali si një “akt të turpshëm, antikombëtar,” duke e krahasuar atë me zëvendësimin e Bolívarit me Escobar. Ndërkohë, skulptorët dhe kritikët e artit kruajnë kokën, dhe nuk kanë përgjigje per pyetjen pse një politikan i sotëm duhet të përjetësohet në bronz me një përkrenare me brirë dhie ose pse mjekra e Kryeministrit i ngjan aq shumë Ismail Beut?

Pyetje pa kuptim. Pyetja e vërtetë është: Pse u desh kaq shumë kohë për të mbërritur këtu?

Në një vend ku mitologjia dhe realiteti rrëkëllenjë të njëjtën gotë raki, është tragjike që lideri i sotëm mori më kaq vonesë tiparet e heronjve të historisë së Shqipërisë. Trinia e madhe shqiptare—Skënderbeu, Ismail Beu dhe Edibeu—secili duke mbajtur frontin europianist e ka shpëtuar vendin nga dallgët më të mëdha të historisë; shekullin XV, shekullin e 20 dhe shekullin e 21.

Ndërsa dielli perëndon mbi shtatoren e Skënderbeut në sheshin Skënderbej në Tiranë, Ismail Beut në Vlorë dhe Edibeut në Horën e Arbëreshëve në Itali, pyetja a është Edi Rama trashëgimtari i këtyre figurave legjendare, është një pyetje e rëndomtë retorike. Edi Rama ka vetëm 12 vjet në pushtet, ndërkohë Skënderbeu qëndroi për 25 vjet. Historia po bëhet, në një mënyrë apo tjetër, dhe qoftë me shpatë, me penë apo mjekër, Shqipëria vijon t’i dhurojë kontinentit plak, shpëtimtarë.

Në kryeqytet, po ndërtohet edhe një kullë (pranë ish 15 katëshit) që do të shfaqë portretin e Edi Ramës. Dhe duke qenë se në sheshin Skënderbej është edhe shtatorja e heroit- dy figurat e mëdha do të duken si binjakë që historia u dha pavdeksinë.

Dhe siç do të thoshte një lab me humorin karakteristik, “Me këtë ritëm, deri vitin e ardhshëm, po të heq mjekrën, t’i shtohen pak rudhat, të vendose një shami në kokë Rama mund të fillojë të ngjajë edhe me Shën Terezën.”

Në fund të fundit, ky truall gjithmonë ka qenë tokë e mrekullive./Lutfi Dervishi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...