Njësia e programacionit në RTSH, duke ecur me ritmin e drejtorit me 200 km/orë

Për të gjithë ata që nuk njohin vjedhjet e hershme të psiqikut të RTSH, po risjellim investigimin e BIRN:


Deputeti Alfred Peza nën hetim për pastrim parash

Pas hetimit administrativ të hapur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPKI), Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka regjistruar hapjen e hetimeve “kryesisht” në ngarkim të deputetit Alfred Peza pasi bashkëshortja e këtij të fundit bleu 113 milionë lekë aksione në Bankën Credins.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të premten se ka nisur një hetim penal nën dyshimin e pastrimit të parave ndaj deputetit të Partisë Socialiste Alfred Peza, pas publikimit në media të një kontrate të vitit 2015 në të cilën bashkëshortja e Pezës ka blerë aksione me vlerë 113 milionë lekë në Bankën Credins.

Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme deklaruan se dosja hetimore në ngarkim të deputetit Peza është regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe të “Fshehjes ose deklarimi i rremë të pasurisë” , vepra këto që në rast se vërtetohen edhe nga gjykata, deputeti socialit rrezikon një dënim me deri në dhjetë vjet burg.

BIRN e pati të pamundur të komunikojë me deputetin Peza, në lidhje me akuzat penale të ngritura ndaj tij, por ai është shprehur më herët në faqen e tij në Facebook se është i pafajshëm dhe se paratë i ka krijuar përmes punës së tij si drejtues mediaje përgjatë 20 viteve të fundit dhe se pasuria e tij nuk është shtuar që nga viti 2013, kohë në të cilën u tërhoq nga gazetaria dhe u zgjodh deputet në Qarkun e Elbasanit nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste.

Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë nisur “kryesisht”, gjë që do të thotë se nuk ka një kallëzim ndaj tij por Prokuroria me nismë të vet ka vendosur hapjen e hetimeve.

Lajmi u publikua fillimisht në media javën e kaluar ndërsa kontrata e shitblerjes së aksioneve i përket vitit 2015 dhe është publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sipas kontratës, aksioneri Aleksandër Pilo i shiti Mirela Ndinit 523 mijë aksione të bankës Credins përkundrejt një shume prej 113 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro).

Publikimi i lajmit shkatoi reagime të shumta publike. ILDKPKI njoftoi më 16 janar nisjen e hetimeve administrative ndaj Pezës për të parë burimin e krijimit të pasurisë së përdorur për blerjen e aksioneve si dhe për një konflikt të mundshëm interesi.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk kanë të drejtë të fitojnë para nga burimet e shtetit apo të pushtetit vendor por nuk është e qartë nëse qenia aksioner në një bankë, bie apo jo në klauzolën e konfliktit të interesit.

Partia Demokratike në opozitë e konsideroi ngjarjen si tregues i nivelit të korrupsionit në qeverisjen e vendit ndërsa Peza iu përgjigj duke akuzuar opozitën se ajo është e korruptuar dhe se problemi i tij qëndron në faktin se ka qenë transparent dhe ka deklaruar pasurinë e tij.

Sipas deklaratës së pasurisë së deputetit Peza, firmosur prej tij në vitin 2013, kur mori detyrën si deputet, ai disponon një apartament në Tiranë me vlerë 110 mijë euro dhe një tjetër në Durrës me vlerë 50 mijë euro, të cilat thotë se i ka blerë me kursimet e krijuara nga të ardhurat e tij si drejtues mediaje dhe të bashkëshortes si punonjëse e administratës publike.

Peza shkruan gjithashtu në të njëjtën deklaratë se në emër të bashkëshortjes së tij, dispononte në vitin 2013 një depozitë me vlerë 95 milionë lekë si dhe llogari të tjera me vlera më të vogla, që të gjitha të krijuara përmes kursimeve nga të ardhurat e veta dhe të bashkëshortjes.

Banka Credins është aktualisht një nga dy bankat e vetme me kapital kryesisht shqiptar në Shqipëri. Sipas të dhënave mbi aksionaret e kësaj banke të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ndini bleu afro 523 mijë aksione ose 1 për qind të aksioneve të bankës me vlerë nominale prej 54 milionë lekësh nga Aleksandër Pilo, një nga aksionerët më të hershëm të bankës. Kontrata e transferimit, e publikuar në prill 2015 në QKB tregon se këto aksione u blenë nga Ndini për 113 milionë lekë. Që nga prilli i vitit 2015, Banka Credins ka ndërmarrë disa herë rritje të kapitalit aksioner përmes moshpërndarjes së fitimeve apo përmes emetimit të kuotave të reja të aksioneve. Aktualisht Ndini disponon 0.79 për qind të aksioneve të bankës./Birn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...