5 drejtorave të zdromsit u zgjatet paraburgimi

Zgjaten me 6 muaj afatet e paraburgimit për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për zgjatjen e paraburgimit ndaj Redi Mollës dhe Mariglen Qatos edhe për gjashtë muaj të tjerë, bazuar në dyshimet e ngritura për pastrim parash ndaj tyre.

Dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se dy ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato janë përfshirë dhe në pastrimin e parave, ka bindur gjykatën për të zgjatur me gjashtë muaj të tjerë masat e sigurimit personal ndaj tyre, duke mbetur në paraburgim për një vit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë njoftoi të hënën më 23 shtator se është pranuar kërkesa e SPAK për caktimin e afatit të ri të paraburgimit prej 12 muajsh ndaj ish-drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, Redi Molla dhe ndaj ish-drejtuesit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit,Mariglen Qato, i cili në momentin e arrestimit mbante pozicionin e administratorit të ndërmarrjes së bashkisë së kryeqytetit, Tirana DC. Afati i ri i paraburgimit fillon nga data 28 mars, duke u zgjatur kështu dhe me gjashtë muaj të tjerë në vijim.

SPAK i akuzon zyrtarët e Bashkisë së Tiranës se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga Molla dhe Qato, duke e ushqyer atë me tendera publikë. Kompania e tyre, 5D Konstruksion fitoi dhjetra tendera dhe qarkulloi rreth 20 milionë euro në gjashtë vjet.

Molla dhe Qato akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”; si dhe “Pastrimi i produkukteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim. Të dy të akuzuarit i mohojnë akuzat.

Për këta dy të hetuar, afatet janë shtyrë bazuar në dyshimet e ngritura për pastrimin e parave.

Për Taulant Tushën, i proceduar në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, cili u ndalua më parë për aferën e incineratorit të Tiranës, është vendosur të zgjaten afatet e paraburgimit për një preriudhë tre mujore.

Ai dyshohet për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, dy herë.

Në muajin korrik, SPAK njoftoi se gjykata kishte pranuar kërkesën për vendosjen e sekuestros preventive të kompanisë 5D Konstruksion, të kompanisë Restur dhe asteve të saj, të 24% të aksioneve në kompaninë Mediterranean Investment Group sh.pk., e cila po ndërton një hotel me vlerë të deklaruar 15 milionë euro dhe që ka marrë statusin special nga ana e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

SPAK sqaroi atëherë se vendimi i sekuestros u mor pasi hetimet zbuluan se të ardhurat e kompanisë 5D Konstruksion përbëjnë produkt të veprave penale, si dhe për faktin se paratë e përfituara prej asaj shoqërie u nxorrën cash prej saj, për t’u përdorur nga pronarët e dyshuar Redi Molla dhe Mariglen Qato për blerjen e pronave të tjera./Birn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like...